Minotauri që na prish Kohën për t’u zgjuar

Gjithçka që botohet nëpër gazeta është vetëm një simptomë e realitetit që na mbërthen. Kur simptoma është e izoluar, edhe mbresa që ajo lëshon përreth është aq lehtë sa mund të harrohet aty për aty. Veçse kur simptomat shfaqet përditë me breshëri ose në mënyrë periodike, ato të injektojnë diçka për të mirë a për të keq në qenien tonë. E kam parë se çdo ditë kur jam përpara kafesë allaturka - që çdo mëngjes mamaja ime heroike, siç janë të gjitha nënat, më përgatit - më vjen reflektimi se ne shqiptarët kemi krejt simptomat e një “sëmundjeje” pasionale.
Mos u çuditni, kemi pasionet tona ashtu siç i kanë të gjithë popujt e botës. Për shembull: italianët kanë pasion futbollin dhe flasin shumë për të në bisedat e tyre të përditshme, po ashtu edhe anglezët kanë pasion punët e Mbretëreshës e të oborrit mbretëror kur pinë çajin e pasdites. Në të njëjtën grackë kanë rënë edhe francezët, ku kultura e filozofisë new age ka pothuajse “monopolin” e bisedave. Kurthi jonë i përditshëm, ku biem me pavetëdije, në të shumtën e rasteve është politika. Politika si shkencë pa diplomë që çdo njeri është i licencuar nga individualiteti i theksuar që ka të flasim pa rend e pa mend, e që na bën të kemi edhe ide të ndryshme apo të kundërta për çdo politikan apo politikë. Qartësia e kësaj dukurie më erdhi nga survejimi konstant i një emisioni deskriptiv të shtypit të përditshëm.
Fenomeni Bashkim Hoxha:
Çdo ditë në mëngjes në orët shtatë zëri i një njeriu që quhet Bashkim bombardon timpanet e mijëra shqiptarëve me informacion të shumëllojshëm. Ka shumë emisione pasqyrimi shtypi, por ka vetëm një bashkim në qarkullin, dhe njerëzit duket se e kanë kuptuar. Pëlqehet, besoj, sepse është normal. Si fillim ritmi i leximit të titujve dhe nëntitujve ndryshon simbas fjalëve kyç që ai lexon me kujdes. Stilolapsi i tij sikur i shigjeton shkronjat për të parë nëse janë me gjak apo me qelb. Nga ana tjetër kameramani i sugjestionuar prej zërit ndjek gishtat në formatin e gazetës. Pjesët më të paharrueshme të këtij emisioni janë mbas leximit të shtypit të përditshëm, ku jo për faj të tij janë klonime titujsh e lajmesh të njëjta. Ky emision ka dy pole të ndryshme. Njëra është pozitive dhe tjetra negative.
Pozitive:Një gjë tjetër që bie në sy tek emisioni është përballja e shtruar kundër problemeve të përditshme. Përballja epike që bën ky misionar i qytetërimit me telefonat në studion është për t’u admiruar. Nuk e them për lajka, nuk më intereson një gjë e tillë, as e mendoj. Ajo që pëlqej është inteligjenca, sepse ndershmëria dhe guximi në një person nuk mjaftojnë të bashkëbisedosh. Për shembull kur të thotë sinjalin faktik “Mirëmëngjes” me qytetarin ai vendos një sërë rregullash që, duke qenë shqiptarë, ata që telefonojnë, rregullisht i thyejnë.
Mirëpo, sipas gjykimit tim, po të kishte një gramatikë sjellje qytetare shembujt do të mbusheshin me të. Nganjëherë kur shoh urtësinë e fjalëve të tij që shprehin qetësi dhe butësi nuk më duket edhe aq shqiptar. Mos u çuditni. Sepse telefoni fiks që ai u hap qytetarëve anonimë për dy minuta është një minierë informacioni jo vetëm për sociologët, antropologët, politologët, por edhe prokurorinë dhe policinë. Përshtypja që të vjen direkt në anën e majtë të trurit është sikur në atë mëngjes njerëzit hapin televizionit për dozën e tyre të përditshme të marrëzisë për politikë. Indro Montanelli, princi i gazetarisë italiane, kishte qejf të thoshte se “kush do të bëhet gazetar, të kujtojë të gjejë sa më shpejt pronarin: lexuesin. Bashkimi, duke qenë në televizion, e ka gjetur më së miri pronarin: i cili është qytetari.
Negative: Për të qenë i përkryer, do të duhej të kishte patjetër një defekt. Dhe handikapi intelektual që ka emisioni “Koha për t’u zgjuar” nuk është faj i emisionit në vetvete, por i atyre që telefonojnë. E kam survejuar për dy javë këtë emision duke marrë shënime dhe pothuajse 90 përqind e telefonatave që vinin në redaksi ishin për të demonstruar politikë të bërë e të pabërë. Për të sharë politikanë me defter. Natyrisht urtësia e Bashkimit kërkonte të zbuste qëndrimet ekstreme të tyre, por a i preken brirët Minotaurit? Sidomos kur marrin emigrantët nga Greqia që qortojnë punët e Shqipërisë me inventarin e dyqind fjalëve e ku gjysma e fjalorit përmban sharje me qeder. Kam një dyshim, nëse kur flasin me aq zell kundër elitës së politikanëve, a duan me të vërtetë të bëhen ata vetë politikanë?
...