Dogana deklarohet për kontrollin
Nga Express më 18 dhjetor 2010 në ora 12:30
Doganat e Kosovës kanë njoftuar se gjatë kontrollit të EULEX-it të enjten janë marrë dokumente lidhur me importin e produkteve të duhanit për vitin 2008.
Sipas Zyrës për informim të Doganave, gjatë kohës së ushtrimit të kontrollit, Dogana i ka ofruar dokumentet e kërkuara nga EULEX`i si dhe vullnetarisht u janë ofruar dokumente shtesë lidhur me këtë rast.
“E gjithë kjo është bërë me qëllim për sqarimin e rrethanave sa më shpejt që është e mundur”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.
Dogana e Kosovës thekson se lidhur me këtë rast ka pasur kontakte dhe bashkëpunim të vazhdueshëm edhe më herët me komponentën e EULEX`it në Doganë si dhe Zyrën ligjore të EULEX-it.