E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dogana e Kakavijës, arrestohen 3 punonjës për shpërdorim detyre

GJIROKASTëR- Dy punonjës të shërbimit kufitar në Kakavijë dhe një punonjës i një agjencie udhëtimi në Kakavijë që shërbente si sekser janë arrestuar sot nga policia e Gjirokastrës nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Efektivat Ylli Hoxha dhe Brisilda Biraçi, përkatësisht 40 vjeç dhe 24 vjeçe nga qyteti i Gjirokastrës, në bashkëpunim me Spiro çami, 35 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Dervican i punësuar pranë një agjensie udhëtimi dhe punonjësit e shërbimit kufitarë vendosnin vulat hyrje në pasaportat e shtetasve shqiptarë pa praninë e tyre, duke përfituar shuma nga 600 deri në 800 euro për person.

Policia tha se Spiro çami ishte sekseri i grumbullimit të pasaportave të shtetasve shqiptarë, ndërsa dy punonjësit e policisë kufitare përfitonin shumat financiare duke shpërdoruar detyrën shtetërore. "Në cilësinë e provës materiale u bllokuan 10 pasaportat shqiptare, 6 celularë, si dhe automjet tip "Benz", me targa INI 5097", pohoi policia lokale.

Aksioni u realizua nga skuadra e antikrimit të Gjirokastrës e cila po hetonte veprimtarinë kriminale të efektivëve Ylli Hoxha dhe Brisilda Biraci në doganën e Kakavijës.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›