“Shtretërit në spitale shfrytëzohen vetëm 60%”
Shfrytëzimi i shtretërve në spitale nuk e kalon masën 60%. Çka do të thotë që në pavijone ka më shumë shtretër, sesa të sëmurë që qarkullojnë. Paçka se kjo situatë nuk vlen për të gjitha shërbimet, pasi disa prej tyre janë gjithmonë të mbipopulluar, menaxhimi i kapaciteteve të spitaleve nuk është efektiv. Këtë e kanë pohuar jo vetëm drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë, por edhe ata të ISKSH. Kjo situatë është më e prekshme në qendrën spitalore "Nënë Tereza". Sipas ekspertëve, gjithçka është pasojë e një administrimi jo të mirë të spitaleve. Përjashtim bën vetëm ai i Durrësit, i cili tashmë është përfshirë në skemën e sigurimeve shëndetësore. Drejtuesit e ISKSH premtojnë se me aplikimin e saj në të gjithë spitalet, shfrytëzimi i kapaciteteve të tyre do të jetë maksimal. "Nuk është normale që të ketë një numër të lartë shtretërish dhe ato të mos shfrytëzohen, pra të mungojë qarkullimi siç duhet i pacientëve. Reforma e re, e cila do të nxjerrë kostot reale të shërbimit, por edhe ditëqëndrimin për çdo sëmundje, do të sjellë një frymë të re në këto institucione shëndetësore", sqarojnë specialistët e ISKSH. Sipas tyre, llogaritja e kostos reale për diagnozat e pacientëve, ditëqëndrimi mesatar në spital, numrin i të shtruarve janë elementët të cilët do të rrisin efikasitetin e gjithë gamës së shërbimeve. Sipas të dhënave që vijnë nga Ministria e Shëndetësisë, vetëm Spitali "Nënë Tereza" llogaritet të ketë rreth 1400 shtretër. Me këtë numër, QSU renditet e para në rajon për këto kapacitetet. Por që ndryshe nga vendet e tjera, mbeten të pashfrytëzuara. Reforma e re që do të aplikohet që prej 1 janarit të vitit që vjen synon kthimin e spitaleve në struktura autonome shëndetësore. Në këtë logjikë, aty ku nuk është e nevojshme, do të ketë reduktim të kapaciteteve, për të plotësuar më tej shërbimet ku nevojat janë më të mëdha. Por me gjithë dëshirën e mirë për të realizuar reformën nuk dihet nëse ajo do të rezultojë e suksesshme apo jo. Vetë mjekët kanë hedhur një sërë dyshimesh. Problemi i parë të cilin duhet të zgjidhë qeveria dhe ISKSH është borxhi kolosal që kanë trashëguar spitalet e vendit. Zyrtarisht flitet për 6 milionë dollarë por në fakt mendohet që vlera reale të jetë sa dyfishi i tyre. Mendohet që tenderët të jenë shkaku kryesor i krijimit të borxheve. Për vetë faktin se ka qenë Ministria e Shëndetësisë, ajo që ka menaxhuar fondet e spitaleve, përgjegjësia direkte bie mbi këtë dikaster. Dyshime hidhen për afera korruptive, ndonëse jo hapur. Nuk dihet ende kujt do t'i faturohen këto borxhe. Por nga sa ka bërë me dije ISKSH, për të zgjidhur këtë ngërç, po hartohet një plan i Këshillit të Ministrave. Vendimi pritet të miratohet sa më shpejt nga qeveria. z.ll