E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, hidhet në plehra foshnja

 

DURRES / OERD ULQINI

Një foshnje e porsalindur është gjetur e vdekur, në mes të plehrave të Porto-Romanos. Ngjarja që tronditi opinionin publik të Durrësit në orët e para të Krishtlindjeve, nuk është një krim, por një vdekje natyrale e foshnjës, si pasojë e një malformacioni që kishte që në embrion.
Policia është sinjalizuar nga një grup endacakësh, të cilët mblidhen çdo ditë në grumbullin gjigant të plehrave të Porto-Romanos në kërkim të kanaçeve prej alumini. Me të parë fëmijën, ata lajmëruan policinë lokale, e cila ngriti një grup urgjent hetimi. Ndërkohë alarmi është dhënë edhe në Spitalin Rajonal të Durrësit, ku bluzat e bardha kanë bashkëpunuar me policinë. Në bazë të hetimeve paraprake mësohet se foshnja është lindur e vdekur nga një mëmë në gjendje tepër të vështirë ekonomike, e cila nuk kishte as mundësinë e varrosjes së saj. Ndërkohë në Maternitetin e Durrësit, ende nuk ka përfunduar së ndërtuari krematoriumi, i cili merret me djegien e mbeturinave spitalore, si garza, copëza organesh që hiqen nga operacioni, apo edhe fëmijë të vdekur të porsalindur, prindër e të cilëve nuk kanë mundësinë ekonomike të varrimit. Përballë kësaj situate lehona ka marrë zgjidhjen më të papërshtatshme, ndaj krijesës së saj që lindi e vdekur. Nuk dihet ende mënyra sesi fëmija ka përfunduar në plehra, nëse ajo është braktisur fillimisht në maternitet apo është hedhur nga vetë prindërit e saj. Për të zbardhur këtë fakt, trupi i foshnjës është dërguar në morgun e spitalit të Durrësit, ku pritet t'i nënshtrohet autopsisë.
Ky është një rast i përsëritur për Spitalin Rajonal të Durrësit, pasi në shtator të vitit 2005, dy binjake të lindura të vdekura si pasojë e një malformacioni përfunduan në të njëjtin grumbull prehrash. Edhe atëherë nisi një hetim urgjent, por përfundimi i tij ishte thuajse i njëjtë me rastin e fundit. Askush nuk u penalizua, pasi nuk u gjet një përgjigje se ku duhet t'i grumbullojnë mbeturinat spitalore punonjësit e maternitetit. Materniteti i Durrësit është në proces rikonstruksioni dhe detyrë emergjente është ngritja e një krematoriumi të mirëfilltë, për djegien e mbeturinave spitalore, ashtu siç e kanë në përdorim vendet me shërbime moderne mjekësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›