Durrës-Kukës, Olldashi: Punimet sipas afateve
Projekti i rrugës Durrës-Kukës-Morinë do të përfundojë në pranverën e vitit të ardhshëm, dhe kjo pasi punimet po ecin sipas parashikimeve. Vetëm pak ditë pas vizitës së kreut të qeverisë në Kalimash, Ministri i Transporteve Sokol Olldashi dhe Drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve Andi Toma, kanë inspektuar dje ecurinë e punimeve në segmentin Kolsh - Morinë, të autostradës Durrës-Kukës. "Në këtë segment ka një ecuri të mirë të ritmeve të punimeve, veçanërisht në ndërtimin e urave nga kompania "Graniti" tha Olldashi. Sipas tij, me këto ritme jemi të sigurt se do të realizohen të gjitha objektet në afatet e përcaktuara edhe në lotet e tjera të këtij segmenti. "Këtë e tregon edhe fakti se po punohet edhe sot që është ditë feste", - u shpreh Olldashi. Gjatë prononcimit të tij për media, Olldashi nuk la pa përmendur edhe problemin e shpronësimeve. "Problemi i shpronësimit ka mbetur pa u zgjidhur në Drinas, pasi janë ndërtime informale, por po punohet më ALUIZNI-n për të përfunduar edhe këtë proces", u shpreh Olldashi. Ndërkohë, në lidhje me shembjen e një muri mbajtës në dalje të qytetit të Kukësit, Ministri i Transporteve është shprehur se punimet vazhdojnë, ndërsa probleme të tilla janë fenomen inxhinierik, që duhet t'i zgjidhin specialistët e supervizorët. Qeveria shqiptare ka dhënë plot 520 milionë euro për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës-Morinë. Kjo rrugë është planifikuar të përfundojë në pranverën e vitit të ardhshëm. Kompania Bechtel Enka po punon në të gjithë gjatësinë e rrugës Rrëshen -Kalimash, prej 60 km. Puna vazhdon në 27 urat e kësaj rruge. Sipas të dhënave më të fundit 19 ura kanë përfunduar dhe ato tashmë përdoren nga mjetet e kompanisë për të lehtësuar trafikun. Janë ndërtuar dhe bazamentet dhe këmbët mbajtëse edhe për urat e tjera. Këtë muaj ka përfunduar dhe ura më e lartë në segmentin e tretë, një urë prej 80 metra e lartë. Kompania Bechtel po punon njëkohësisht në të dy tunelet, në të dyja hyrjet veri-jug, paralelisht.