Transplanti i veshkës,shtyhet për në janar
Të sëmurëve me veshka që kishin varur shpresat te kryerja e transplantit këtë vit do të duhet të presin ende. Ndonëse u dha garanci e plotë se për herë të parë, pas shumë e shumë premtimesh spitali "Nënë Tereza" do të ofronte këtë ndërhyrje të rëndësishme, asgjë nuk u finalizua. Ministria e Shëndetësisë premtoi kryerjen brenda dhjetorit të këtij viti të transplantit të parë, por gjithçka ka mbetur pezull. "Salla operatore ka përfunduar brenda të gjitha parametrave të Bashkimit Evropian. Ishte vendosur dhjetori por ishin mjekët italianë ata që kërkuan muajin janar të vitit që vjen për të dhënë asistencën e nevojshme", sqarojnë burime nga Ministria e Shëndetësisë. Sipas tyre nuk bëhet fjalë për anulim të këtij operacioni, por thjesht për një shtyrje të tij edhe për një muaj. Në fakt pacientët që e kanë jetike një ndërhyrje të tillë janë tashmë të velur me premtime të tilla. Që prej katër vjetësh qeveritë dhe ish- qeveritë vendosin data të sakta për kryerjen e transplantit të parë në spitalet publike të vendit. E gjithnjë këto data harrohen e shtyhen. Te privati kjo ndërhyrje po mbush vitin që realizohet. Kryerja e transplantit të veshkës është pjesë e projektit "Interreg 3", i financuar nga komuniteti evropian. Mbetet vetëm finalizimi i tij për këtë pjesë, pas instalimit me sukses të rrjetit të mamografive që ekzaminojnë kancerin e gjirit në disa qytete të vendit.