E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyrapi: S'kam parë burg në Jabllanicë

Nga Express më 26 gusht 2011 në ora 18:39

Të premten ka vazhduar rigjykimi ndaj ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj, ku dëshminë e ka vazhduar ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Bislim Zyrapi, i cili ka pohuar sërish se në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ka munguar një zinxhir i organizuar komandues në përputhje me teorinë ushtarake.

Në pyetjet e avokatëve të të akuzuarve, ai ka thënë se gjatë vizitave në Jabllanicë, nuk ka dëgjuar se ekziston ndonjë burg dhe se diçka të tillë nuk ka parë.

Në pyetjen e Ben Emersonit, avokatit të Haradinajt, se për shkak të pozitës së tij në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së në atë kohë, a ka mundur të konsiderohet si komandant i Haradinajt, dëshmitari Bislimi Zyrapi është përgjigjur me pohim.

Ai ka pohuar se e ka takuar Ramush Haradinajn dhe i është përgjigjur pyetjeve vetëm për periudhën kur ai ka shkuar në vizitë në zonën ku luftonte Haradinaj.

“Po e kam takuar Ramush Haradinaj në korrik të vitit 1998 në Jabllanic. Në atë takim u diskutua për mënyrën e koordinimit të punëve në zona të tjera operative. Mënyra e koordinimit të punëve, do të thotë që prej Shqipërisë mu furnizuar me mjete dhe kthimin e tyre në Kosovë. Furnizimet me armë dhe mjetet që na nevojiteshin në kohën e luftës. Zona e Dukagjinit kishte përgjegjësinë që t’i merrte këto furnizime”, ka thënë ai.

Zyrapi ka shpjeguar më tej se Sali Veseli dhe Driton Zeneli i raportonin komandantit të Zonës së Dukagjinit, Ramush Haradinaj.

Ai ka treguar se në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së është kyç në fillim të luftës së UÇK-së.

“Shtabi i përgjithshëm kishte ekzistuar sigurisht shumë para meje, në janar të vitit 1998 ka ekzistuar si shtab qendror, e unë jam kyçur në qershor”, ka shpjeguar Zyrapi dhe ka shtuar se Shtabi i Përgjithshëm nuk mbante takime te rregullta, nuk kishte një seli të përhershme dhe nuk ka qenë komplet Shtabi i grumbulluar në një vend.

Në seancën e djeshme, në fillim të dëshmisë së tij, Zyrapi ka folur për furnizim me armatim të UÇK-së dhe logjistikën e saj.

Rigjykimi i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj dhe dy të akuzuarve të tjerë Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj ka nisur më 18 gusht dhe gjykimi do të vazhdojë të hënën.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›