E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dogana me drejtor të komanduar

14/06/2005  Nëndrejtori Genc Celi do të drejtojë doganat i supervizuar nga Ministria e Financave

Nëndrejtori aktual i Doganave, Genc Celi, do të ulet në karrigen e drejtorit dhe do të drejtojë i komanduar doganat deri në përfundim të zgjedhjeve. Ministri i Financave ka gjetur një zgjidhje të shpejtë për të qetësuar opozitën dhe për të caktuar një drejtues në krye të doganave shqiptare.

Ministri i Financave, Arben Malaj, prezantoi dje drejtorin e përgjithshëm të komanduar të Doganave, Genc Celin, i cili ushtronte detyrën e zv.drejtorit po në këtë institucion. Malaj, gjatë konferencës për shtyp, vlerësoi punën e bërë nga ish-drejtori i Doganave, Shpëtim Idrizi, në informatizimin e sistemit doganor, si dhe rritjen e të ardhurave nga ky institucion në Buxhetin e Shtetit, duke e konsideruar dorëheqjen e tij për shkak të kandidimit për deputet, si shenjë respekti të plotë të Kodit Zgjedhor. Sipas ministrit Malaj, drejtori i sapokomanduar do të jetë një kandidat potencial edhe në konkursin ligjor, që do të bëhet për këtë post. Ndërsa zv.shefi i misionit të CAM-Albania-s në Tiranë, Huan Acetano, tha se "ne do të vazhdojmë mbështetjen tonë për përmirësimin dhe konsolidimin e sistemit doganor në Shqipëri". Duket se më shumë probleme do të ketë për institucionin e KESH-it, që tashmë drejtohet prej Bordit Drejtues. Madje dhe dorëheqja e Andis Harasanit, që të cilësohet e vlefshme, duhet të miratohet prej këtij bordi. Harasani dy ditë më parë deklaroi dorëheqjen nga detyra për shkak të kandidimit nën siglën e Partisë Socialiste. Së bashku me Harasanin dhe Idrizin, dorëheqjen e kanë dhënë dhe 4 drejtorë të tjerë. Pritet që gjatë këtyre ditëve të nisin prezantimet zyrtare dhe për postet e tjera të mbetura vakante.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›