E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sheshi “Willson” ndryshon pamjen

14/06/2005  “Pro Credit” investon 87 milionë lekë për rikonstruksionin

“Pro Credit Bank” do të japë 87 milionë lekë për të bërë të mundur rikonstruksionin e sheshit “Willson” te Tirana e Re, duke ndihmuar bashkinë në këtë projekt të infrastrukturës. Projekti i rikonstruksionit të këtij sheshi është hartuar nga Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me specialistët e “Pro Credit Bank” dhe përfshin sistemin e rrjetit të kanaleve nëntokësore, shtrimin me asfalt të rrugës, shtrimin e trotuareve me pllaka, ndriçimin e trotuarëve, rrethimin e trotuarëve me kangjella, ndërtimin e stolave në trotuare për krijimin e parqeve të vogla të gjelbëruara me lulishte dhe pemë të larta, ndërtimin e rrethrrotullimit në formën e një kodre të vogël të gjelbëruar, deri në lyerjen e të gjitha fasadave të pallateve përreth sheshit. ”Ndryshe nga të gjitha punimet e tjera që po realizohen në qytetin e Tiranës, ky projekt është financuar nga Banka Pro Credit“, bën të ditur zyra e shtypit pranë “Pro Credit Bank”. Kështu, iniciativa financiare e “Pro Credit Bank” në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, pritet të përfundojë në muajin gusht të këtij viti. ”Sponsorizimi i këtij projekti është vazhdim i politikës së bankës sonë për t’u shërbyer klientëve dhe komunitetit në Shqipëri“, sqaron në deklaratën për shtyp “Pro Credit Bank”. Kështu, “Pro Credit” bën të njohur se angazhimi financiar në disa fushë është pjesë e misionit të bankës. ”Angazhimi ynë nuk bëhet për ndonjë arsye të veçantë, por thjesht, sepse ky është misioni i “Pro Credit Bank” në Shqipëri dhe në 19 shtetet e tjera ku ne ndodhemi“, shprehet drejtori i përgjithshëm, Ralf Reitemeier.

“Pro Credit Bank” me shërbimet e saj, u shërben sot më shumë se 100.000 klientëve, nga të cilët 26.000 klientë kredie si dhe 77.000 klientë të shërbimeve bankare. 45% e kredive në lekë të dhëna nga i gjithë tregu bankar është kredituar nga ne. “Pro Credit” ishte e para bankë që instaloi në Shqipëri rrjetin e plotë të ATM (cash machine) në Shqipëri, duke u ofruar karta debiti falas për të gjithë klientët e saj. E para bankë që u ofroi shqiptarëve mundësinë për të zgjedhur kartën e tyre elektronike ndërkombëtare debiti ose krediti: Master Card, Maestro, Visa Electron, Visa Classic, si dhe po realizon projektin e instalimit të aparateve elektronike të pagesave POS, masivisht në pika të ndryshme shitje si supermarkete, restorante, hotele, butik, agjenci udhëtimi etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›