E Shtunë, 31 Tetor 2026

Operacioni “Fillimi”, sekuestron 296 kg marijuanë

Policia e Gjirokastrës ka sekuestruar 296 kg marijuanë në Komunën e Lazaratit ditën e djeshme. Operacioni “Fillimi”, i ndërmarrë nga uniformat blu në aksin nacional Gjirokastër-Përmet, ka vënë në pranga shtetasin Petrit Teharaj, 40 vjeç dhe ka konfiskuar sasinë e drogës që ai transportonte. Uniformat blu kanë ndaluar fillimisht makinën në aksin rrugor Gjirokastër-Përmet. Pas kontrolleve të kryera nga ana e tyre, rezultoi se brenda makinës ishin fshehur 296 kg kanabis sativa. Droga ishte paketuar në pako 1-kilogramëshe, në formë cilindrike dhe ishin të mbështjella me letër natriban. Më pas, e tërë sasia e lëndës narkotike, marijuanë e presuar, ishte futur në 8 çanta shpine, të cilat ishin vendosur në fund të furgonit dhe ishin mbuluar me kuti bananesh. Menjëherë, policia ka sekuestruar sasinë e drogës së kapur dhe ka arrestuar drejtuesin e mjetit.

Ka qenë mesdita e ditës së djeshme, kur uniformat blu të qarkut të Gjirokastrës kanë parë një furgon të bardhë me targa TR 5937 B, që po lëvizte në aksin Gjirokastër-Përmet. Menjëherë ato janë vënë në ndjekje të tij dhe e kanë ndaluar atë, në vendin e quajtur “Ura e Dragotit”. Mjeti drejtohej nga 40-vjeçari Petrit Teharaj, lindur dhe banues në lagjen nr. 4 të Tiranës. Pas kontrollit të kryer, u arrit të gjendej e fshehur në makinë një sasi droge, kanabis sativa, prej 296 kg. Për të fshehur marijuanën e presuar, 40-vjeçari i kishte mbuluar ato me disa arka bananesh. Megjithatë, duke bërë një kontroll të imtësishëm, u arrit që të gjendej droga e fshehur. Menjëherë i janë vënë prangat drejtuesit të mjetit dhe është sekuestruar droga e kapur. Materialet e kapura janë konfiskuar dhe i kanë kaluar prokurorisë për procedurat e mëtejshme. 40-vjeçari është shoqëruar për në ambientet e paraburgimit të policisë së Gjirokastër, ku ai pritet t’i nënshtrohet gjyqit, për veprën penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›