Rio Ferdinand: Para Kapelos ishim si cirk
Rio Ferdinand preferon "dorën e hekurt" që Fabio Kapelo përdor kur bëhet fjalë për disiplinën brenda skuadrës, në krahasim me "cirkun", që ishte shndërruar Kombëtarja angleze, përpara emërimit të teknikut italian. Mbrojtësi pranon se më parë skuadra ishte e shpërqendruar, për shkak të ngjarjeve rreth saj. Në Botërorin 2006, në Gjermani, situata doli jashtë kontrollit kur në rezidencën në Baden-Baden me lojtarët u bashkuan edhe bashkëshortet e partneret, të cilat "pushtuan" faqet e gazetave për shkak të shpenzimeve marramendëse në dyqane rrobash dhe butik. Ferdinand beson se afrimi i Kapelos ndihmoi përfaqësuesen angleze që të qëndrojë e përqendruar vetëm te futbolli. Ai deklaroi: "Mund të them se deri-diku ishim shndërruar në cirk dhe këtë e lidh me situatat e krijuara rreth bashkëshorteve dhe të fejuarave të lojtarëve. Dukej sikur rreth Kombëtares angleze luhej një spektakël i madh: si një teatër. Kjo bëri që futbolli të kalonte në plan të dytë, pavarësisht se ishim të impenjuar në evenimente madhore. Njerëzit ishin më të shqetësuar se çfarë vishnin apo si silleshin, sesa për rezultatet e skuadrës. Regjimi i Kapelos është mjaft i fortë, por besoj se po shkojmë në rrugën e duhur. Për të pasur më shumë mundësi triumfi, duhet përqendrim maksimal".