E Diel, 1 Nëntor 2026

Dogana rrezikon heqjen e vizave për shqiptarët

Afrim Imaj Ngjarja e para disa ditëve, e bllokimit nga forcat e Policisë së Shtetit të Qarkut të Gjirokastrës të një ngarkese me mallra, të hyrë kontrabandë në Doganën e Kakavijës, na sjell në vëmendje këtë fenomen të përsëritur rëndom gjatë kohëve të fundit. Jemi dëshmitarë të ngjarjeve të njëpasnjëshme të tilla që ndodhin në doganat shqiptare, në një moment kur kërkohet që, në kuadër të arritjes së standardeve për përfitimin e regjimit të lëvizjes pa viza, në hapësirën Shengen, të qytetarëve shqiptarë, dogana si njëra nga agjencitë kryesore që operon në kufi, duhet të jetë sot më vigjilente, më e organizuar dhe më e motivuar se kurrë, për t’iu përgjigjur këtij momenti historik që po kalon vendi ynë.Administrata doganore edhe për sa i takon objektivit të mbledhjes së të ardhurave doganore, të planifikuara nga Qeveria, vazhdon të çedoje, duke mos realizuar muaj pas muaji planin. Ngjarjet e fundit, të evidentuara nga Policia e Shtetit, të kalimit të ngarkesave pa u deklaruar në doganë, dy të tilla në doganën e Kakavijës dhe një në doganën e Kapshticës, të shoqëruara këto me arrestime të doganierëve, tregojnë për mungesë administrimi dhe shthurje të sistemit doganor.Këto raste kontrabandë, nga më të rëndat të evidentuara historikisht në sistem, janë vetëm “maja e ajsbergut”, kur mendon se ato janë evidentuar si të tilla në akse rrugore, shumë larg traut. “Ajsbergun” e vërtetë nuk e di askush, pasi duket se fenomeni është bërë i zakonshëm, por ai reflektohet më së miri në të ardhurat e munguara, në raport me planin e përcaktuar nga qeveria, të rishikuar dhe të reduktuar periodikisht gjatë vitit 2009. Për gjatë afro katër vjet të drejtimit të doganave nga z.Përparim Dervishi, një fenomen i tillë i kalimit të ngarkesave pa u deklaruar në doganë nuk kishte ndodhur, ashtu siç edhe të ardhurat doganore u rritën ndjeshëm vit pas viti.Pavarësisht efektit tejet negativ që përcjell një kontrabandë e përmasave të tilla, në të ardhurat e planifikuara të buxhetit të shtetit, ajo që rrezikon të dëmtohet më shumë nga ky fenomen është imazhi i sigurisë së kufijve të vendit tonë, për të cilin Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme ka punuar shumë gjatë viteve të fundit. Se sa efektive mund të jetë dogana në luftë kundër trafiqeve të ndryshme si, trafiku i drogës, armëve, klandestinëve etj, ndërkohë që ngarkesa të tëra kalojnë pa u deklaruar në doganë, kjo është e kuptueshme, ndërkohë që ndërkombëtarët janë në dijeni të këtyre ngjarjeve. Shqiptarët nuk ka pse të ndëshkohen në ëndrrën e tyre të shumëpritur, të lëvizjes së lirë, për shkak të papërgjegjshmërisë dhe babëzisë së një grupi, apo grupeve të vogla kontrabandistësh me uniformë, të cilët nuk e kuptojnë dhe nuk duan ta kuptojnë, që krahas domosdoshmërisë së zbatimit të ligjit është dhe momenti historik që po afron për shqiptarët. Këta punonjës të korruptuar të doganës, personalisht nuk ndikohen nga heqja e vizave, sepse me kohë janë pajisur me viza dhe sa herë që evidentohen kalime kontrabandë të ngarkesave, largohen në drejtim të vendeve fqinje, për t’i shpëtuar ndjekjes penale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›