E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi historik i Kushtetueses

Mentor Nazarko Vendimi i fundit i Gjy-katës Kushtetuese në lidhje me kushtetutshmërinë e  Marrëveshjes për ujërat me Greqinë është një vendim historik. Domethënë, akt me rëndësi historike, efektet e të cilit do të mbahen mend gjatë në historinë e Republikës. Ai është i veçantë edhe brenda kategorisë së vendimeve historike - është i paprecedent në historinë e kësaj Gjykate dhe kjo është një arsye më shumë për ta mbajtur mend. Me shumë gjasa, ai duhet të jetë i rrallë edhe në historinë e Gjykatave të tjera, pra vështirë se duhet të kemi shumë raste në historinë e Gjykatave Kushtetuese në botë, që të kenë rrëzuar marrëveshje të tilla midis shteteve.Le të vijojmë edhe më në aspektin praktik të këtij vendimi. Në planin institucional, ai shënoi në mënyrën më të zëshme të mundshme forcën e institucioneve të pavarura përballë Ekzekutivit, i cili me siguri nuk e ka dashur këtë vendim, pikërisht për shkak të pasojave të pritshme në humorin popullor, d.m.th të votuesve. Ai konfirmoi nëpërmjet çekiçit të drejtë të gjyqtarëve atë që kishin thënë prej disa muajve rresht një grup idealistësh patriotë, Gazeta Shqiptare dhe gazeta të tjera, se Marrëveshja e fundit e ujërave jo vetëm që ishte në thelb, një akt i turpshëm servilizmi ndaj Greqisë, por dhe kishte shkelur në mënyrë brutale procedurat e miratimit të një akti të tillë. Me këtë akt, Gjykata u rreshtua në krah të këtij grupi idealistësh, që nën iniciativën e një burri të ndritshëm, eksperti të shquar si Myslim Pashaj, mobilizuan opinionin publik, forumet, shoqatat anembanë vendit.Rreshtimi unanim i të nëntë gjyqtarëve kundër kësaj marrëveshjeje ka gjithashtu mesazhet e veta. Ai tregon se marrëveshja e shqyrtuar ishte aq e papranueshme në planin juridik, sa fyente ndërgjegjen profesionale të secilit gjyqtar, pavarësisht përkatësisë apo ndjeshmërisë politike që ai përfaqëson. Kjo është një arsye tjetër pse ky vendim ishte historik dhe për të cilin të gjithë anëtarët e kësaj Gjykate duhet të ndihen krenarë. Duhet të imagjinojmë që ndaj këtyre gjyqtarëve të nderuar duhet të jetë zhvilluar presion i fortë nga të gjitha anët, por fakti që ata rezistuan, i bën nder atyre. Atyre i bën nder fakti se megjithë momentin kur koincidoi marrja e vendimit-përfundimi i mandatit të 6 anëtarëve, asnjeri prej tyre nuk e trafikoi politikisht të ardhmen e vet profesionale.Vendimi i Gjykatës është kështu një akt i rëndësishëm në forcimin e institucioneve, e shtetit shqiptar që zë fill prej Kushtetutës së miratuar në vitin 1998. Ai është një konfirmim i rëndësisë së ekzistencës së kësaj Gjykate, përballë dilemave të nevojës ose jo të një institucioni të tillë.Vendimi i fundit i ruan dinjitetin Presidentit të Republikës, i cili u injorua gjithashtu nëpërmjet protektorëve politikë të kësaj marrëveshje, kreut të ekzekutivit, apo Ministrit të Jashtëm. Kreu i shtetit Topi u mbajt larg procesit të miratimit të këtij akti që ishte realisht marrëveshje midis shteteve dhe jo midis qeverive. D.m.th kjo marrëveshje kërkonte me çdo kusht akordimin e plotfuqishmërisë, e vulës së shtetit, mbajtës i të cilës është vetëm Presidenti. Presidentit Topi i bën nder vetëpërmbajtja me të cilën reagoi ndaj këtij fakti, por sigurisht ndërgjegjja kombëtare e tij duhet të jetë ndjerë e lehtësuar pas këtij vendimi. Kjo vërtetohet edhe prej disa qëndrimeve stoike të kreut të shtetit ndaj disa çështjeve të ndjeshme për dinjitetin kombëtar. Shteti shqiptar duhet të ndihet mirë gjithashtu për faktin se tradita e mirë patriotike e dy paraardhësve, Meidani, Moisiu, po ruhet prej Presidentit Topi.Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, i disati në radhë kundër Qeverisë, megjithëse të marrë me shumica më të vogla, konfirmoi se kjo qeveri ka probleme të mëdha funksionimi brenda sinorëve kushtetues. Janë shumë vendime ndëshkuese të kësaj Gjykate, dhe ky duhet të jetë një moment reflektimi për këtë qeveri rekordmene në shkeljen e kushtetutës.Në planin shoqëror, ky vendim dëfteu forcën e shoqërisë civile të rreshtuar siç duhet edhe prej insistimit të një njeriu si Myslim Pashaj, i cili vuri i pari kambanat e alarmit për rreziqet e kësaj marrëveshje. Për herë të parë, ne kemi shfaqjen kaq të fortë të shoqërisë sonë civile në një rol të tillë mobilizues, jo thjesht denoncues dhe për këtë arsye kapitali i krijuar nëpërmjet suksesit të këtij mobilizimi duhet të ruhet. Me një fjalë shoqëria jonë civile duhet të shfaqet sërish në një funksion të tillë, apo pse jo dhe në funksionin solidaristik, ndryshe nga tradita e saj e dobët që e shikon vetëm në një rol tipik të organizatave të saj: raportimi, apo monitorimi. Vetëm kështu shqiptarët do të duken më të fortë, më modernë dhe më të hapur për përparimin që kalon patjetër nga kundërvënia e shëndetshme e shoqërisë ndaj shtetit.Ishte pikërisht ky reagim i fortë, mobilizues i shoqërisë civile, që përfshiu nëpërmjet forumeve, dëgjesave, emisioneve mediatike një numër të madh njerëzish, e për pasojë nxiti përfshirjen e Partisë Socialiste të opozitës. Partitë reagojnë ndaj çështjeve të tilla vetëm nëse ndihet që ato i interesojnë një numri të madh njerëzish, pra votuesish. Partia Socialiste duhet të mbajë parasysh dhe në të ardhshmen, forcimin e ndjeshmërisë ndaj çështjeve kombëtare sipas traditës më të mirë të së majtës. Suksesi i arritur nuk duhet të ulë ndjeshmërinë ndaj mbrojtjes së interesave kombëtare që kërcënohen vazhdimisht nga ndjenja e konkurrencës aktuale ekonomike dhe trashëgimisë së hidhur të armiqësisë midis vendeve fqinjë në rajon. Ka plot fusha ku këto interesa kërcënohen, përfshi regjistrimin e pritshëm të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare, ndaj duhet sërish mobilizim.Duhet mobilizim edhe për të shmangur një marrëveshje të re bis të asaj që u hodh në koshin e harresës historike. S’ka asnjë çudi që prej këtij veprimi që fyen Greqinë, mund të kemi insistim të saj për të ruajtur në të njëjtët terma marrëveshjen në fjalë. Por jo: prej këtij refuzimi, diplomacia shqiptare e cila del më dinjitoze, duhet të insistojë nga ana e vet të hedhë në tavolinë konfirmimin e të gjithë kufirit midis dy vendeve. Pra dhe atij tokësor, për të cilin ka vetëm një përmendje në Traktatin e miqësisë. Duhet që kjo përmendje në Traktat të qartësohet hollësishëm në një marrëveshje të re për kufijtë midis dy vendeve.Prej këtij akti duhet të jenë ndjerë të lehtësuar dhe vendet fqinjë të prekur nga Marrëveshja.Akti i fundit i Gjykatës Kushtetuese krijon realisht njëlloj problemi në marrëdhëniet me Greqinë, e cila duhet të anulojë nga ana e vet procesin analog të ratifikimit të marrëveshjes në Parlament apo firmën e Presidentit. Por ky moment duhet të kapërcehet me qetësi, pa triumfalizma, sa kohë që Greqia përfaqëson duam s’duam një partner të rëndësishëm të Shqipërisë në rrugën drejt integrimit.Ishin këto një sërë arsyesh pse akti i fundit i Gjykatës Kushtetuese ishte historik. Këto mjaftojnë për të mbajtur mend datën 27 janar 2010.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›