Gara me gropa
Fatos Hakorja Sheshi “Nënë Tereza” dhe ai “Skënderbej”, që gjenden në skajet e Bulevardit “Dëshmoret e Kombit” duket se janë në garë prej disa vitesh, se kush arrin numrin më të madh të gropave. Shpërblimi i kësaj gare është marrja e titullit “Sheshi me gropa”. E kjo garë është e fortë, pasi bëhet fjalë për të hequr një nga dy emrat, rëndësia e të cilëve nuk ia vlen të përmenden në këtë temë. (duke parë si janë katandisur, sheshet i kanë përdhosur këta emra, në fakt).Me ndihmën e bashkisë, “Nënë Tereza” këtë fillimviti gjendet më pranë këtij titulli. Në këtë zonë, para Universitetit të Tiranës, për festat e fundvitit ndodhi edhe çudia më e madhe që mund të ndodhë në një metropol. Sheshi u shpua me plot 120 vrima, që mbi atë të vendosej një cirk. Një cirk pa kafshë në qendër të qytetit është çudi më vete. çudi do kish qenë edhe sikur të ishte me kafshë. Por çudia më e madhe është dëmtimi i sheshit, me dashje, për të vendosur tendën e cirkut. Në mes të çudirave ia mbërrin edhe paradoksi. Për ta riparuar këtë shesh duhet të merren vendime njëri pas tjetrit, nga instanca të caktuara të pushtetit vendor, gjithnjë nëse gjenden fondet. Për ta prishur, mjafton një firmë: ndoshta edhe dy a më shumë, por që vihen me shumë lehtësi në kartat që ligjërojnë ndihmën për t’i dhënë “Nënë Terezës” titullin e ri. Heqja e tendës së cirkut, dy ditë më parë, disa ditë pas skadimit të kontratës mes cirkut të njerëzve dhe bashkisë, nxori në dritë edhe dëmet: 120 gropa të bëra me dashje. Kjo është ajo çfarë ka mbetur nga cirku i bashkisë. Ka mbetur edhe bashkia, pas ikjes së cirkut. Kanë mbetur edhe qytetarët me sytë nga bashkia, pas ikjes së cirkut. Ka mbetur edhe cirku i vërtetë! Jo më ai i bashkisë, por ai i qytetarëve të bashkisë: cirku që bëjnë çdo ditë me mijëra drejtues automjetesh, që si banorë të Tiranës paguajnë edhe taksa zarzavatesh për bashkinë.Sheshit “Nënë Tereza” iu bë kështu një favor në garën e heshtur me rivalin ngjitur me zyrat që drejtojnë Tiranën. Një dhuratë për festat e fundvitit. Do t’i shkonte më për shtat me 7 mars kjo dhuratë, edhe me 8 mars, por duket se në këto data bashkia do të jetë e zënë me halle më të mëdha që pritet t’i ngjasin disa orë para mbërritjes së tyre në kalendar. E kush ka kohë të merret me konkursin e pashpallur të “Sheshit me Gropa”! Po të ishte për 10 njerëzit më të rëndësishëm të vitit, për Tiranën, mund edhe të bëhej ndonjë tolerim: çmimet për këtë konkurs u dhanë teksa Shkodra përmbytej. Por me 7 mars, jo! S’ka kush kohë në bashki të merret me dhurata. As për sheshin mes Bashkisë dhe Partisë, as për atë që mban emrin e bamirëses më të madhe që koha e toka kanë njohur. “Nënë Tereza” duhet të ndihet në faj për këtë garë të pandershme. Për këtë dhuratë –favor që iu bë për festat e ndërrimit të vitit të fundit të dekadës së parë të mileniumit të tretë. Sheshi “Skënderbej” duket qartë se nuk e pranon diçka të tillë. Në kundërpërgjigje ka zgjeruar lumin e makinave që i kalon përmbi’. Mjete që punojnë çdo minutë në hapjen e gropave të reja dhe në rihapjen e atyre që mbulohen herë ditën e herë fshehurazi, për vite me radhë. Kështu, garën “Skënderbej” e ka të fituar, pavarësisht ndihmës që iu dha sheshit pas tij, me firmat e vulat e zyrave të krahut të djathtë, me pëlqimin apo vendimin e zyrave të krahut të majtë. Pastaj, heronjtë nuk i tolerojnë fitoret! Aq më pak këtë herë kur kundërshtari në betejë u ndih pabesisht nga fqinji.