Doganat, 7 miliardë lekë më pak se plani
Bode: Uljen e ka shkaktur diferenca e çmimeve, dhe rënia e ritmeve të importit të mallrave në vend
TIRANË- Deklaratat e ministrit të Financave, Ridvan Bode, në lidhje me uljen e të ardhurave nga doganat bazohen edhe në treguesit e shtatë mujorit të parë të këtij viti në lidhje me këtë çështje.
ipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, gjatë muajve janar-korrik në këto të ardhura është shënuar një mosrealizim plani me rreth 7 miliardë lekë, ku nga 64 miliardë të parashikuara janë mbledhur vetëm 56.7 miliardë. Nëse krahasohen me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, këtë vit doganat kanë mbledhur rreth 307 milionë lekë më pak.
Kontribuuesit kryesorë të mosrealizimit të të ardhurave në dogana janë Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) dhe akciza. Duke marrë parasysh këtë fakt, në fillim të vitit qeveria vendosi që të ngrijë akcizën e naftës në 37 lekë për litër dhe atë të benzinës në 50 lekë, me qëllim mbajtjen të pandryshueshme të të ardhurave në dogana që përfitohen nga vjelja e akcizës për këtë artikull, pavarësisht ndryshimit të çmimit të saj në treg.
Para këtij vendimi, akciza për naftën në varësi edhe të çmimeve në tregun ndërkombëtar, ndryshonte në kufijtë e 27 deri në 37 lekëve për litër. Por pavarësisht vendimit të marrë sipas të dhënave rezulton se të ardhurat nga akciza në dogana janë 361 milionë lekë më të ulëta në krahasim me të njëjtën periudhe te vitit 2008. Karburantet e zhdoganuara gjatë muajve janar-korrik janë 233 mijë ton nga 218 mijë të një viti më parë, ndërsa të ardhurat kanë një rënie prej 598 milionë lekësh.
Që në ditën e parë të punës, Dritan Prifti ka kërkuar hapjen e vendeve të reja të punës në Ministrinë e Ekonomisë
Prifti-Financave: Duam më shumë para
TIRANË- Sapo ka marrë "çelësat" e Ministrisë së Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti ka kërkuar më shumë para nga Ministria e Financave për mbështetjen e një serë projektesh që pritet të zhvillohen në këtë dikaster.
Gjatë prezantimit të tij me stafin e METE-s, Prifti ka theksuar faktin se kërkesat për fonde të kësaj ministrie nuk duhet të përqendrohen vetëm, tek pagat sigurimet shoqërore dhe shpenzimet operative, por duhet të mendohet edhe për ngritjen e një drejtorie të re siç është ajo e Integrimit Evropian duke marrë në konsideratë edhe prioritetet e kësaj qeverie. "Unë e kam lexuar materialin me anë të të cilit ju i keni dërguar Ministrisë së Financave dhe jam surprizuar për keq.
Atje kërkoheshin vetëm rrogat, sigurimet shoqërore dhe shpenzime operative. Kjo ministri duhet të jetë edhe ministri politikash. Kemi gjithë këto institucione varësie dhe ne duhet të bëjmë edhe politika. Pra ju lutem që brenda kësaj jave të bëni një rivlerësim të kërkesave që keni për buxhetin. Mos e limitoni veten nga ngurtësia e Ministrisë së Financave",- tha Prifti.
Gjatë shpjegimit të funksioneve që do të ketë drejtoria më e re, Prifti u kërkoi të gjithë vartësve të tij që kërkesat që do të vijnë nga kjo e fundit të trajtohen më me prioritet qoftë edhe nëse bëhej fjalë për kërkesa nga ana e tij.
"Do të ngrihet një drejtori për integrimin europian. Drejtoria që ka filluar të ngrihet duhet të forcohet dhe mbështetur me prioritet nga të gjithë ju. Në qoftë se do të vijë një kërkesë nga Drejtoria e integrimit europian në drejtoritë e tjera, tek institucionet, tek sektorët apo institucionet e varësisë ajo duhet trajtuar me prioritet.
Përgjigjja dhe angazhimi ndaj asaj kërkese duhet të jetë përpara një koncesioni, leje apo licence, ndoshta edhe përpara ndonjë kërkese që vjen nga vetë ministri", - tha Prifti.