E Diel, 1 Nëntor 2026

Doganat në veri kanë humbur 30 milionë euro

Prishtinë-Kosovës i janë shkaktuar rreth 30 milion euro dëme nga shkatërrimi i doganave në veri. Kjo u theksuar gjatë një takimi që presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu zhvilloi me drejtues të Doganave. Drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica e ka njoftuar Presidentin Sejdiu për punën e institucionit që ai drejton. Ai ka paraqitur të dhënat për mjetet e mbledhura nga doganat gjatë vitit 2008, si dhe ka theksuar faktin se mjetet e mbledhura nga dogana vazhdojnë të jenë edhe më tej të hyrat kryesore në buxhetin e Kosovës.

Huruglica ka theksuar gjithashtu se Kosova është një nga vendet në të cilin në shkallën më të lartë është parandaluar kontrabandimi i duhanit, ndërsa ka njoftuar gjithashtu se nga muaji prill do të vihet rend edhe në qarkullimin e pijeve alkoolike, me vendosjen e pullave fiskale në çdo prodhim.

Huruglica ka paraqitur para Presidentit edhe problemin e pagave të ulëta të zyrtarëve doganorë, fakt ky që ka ndikuar në largimin e një pjese të stafit nga ky institucion. Numri një i doganave kosovare ka shfaqur shpresën se pas rifillimit të regjistrimit të mallrave që hyjnë në këtë pikë, së shpejti edhe këto dy pika doganore do të kthehen në funksion të plotë.

Ndërsa, duke vlerësuar punën e Doganave të Kosovës, Presidenti Sejdiu ka theksuar respektin për punën e madhe që kryejnë zyrtarët doganorë. Pasi ka theksuar se doganierët janë pasqyra e vendit, ai ka thënë se modeli i ndërtimi dhe funksionimit të Doganave mund të reflektojë pozitivisht edhe në sektorët tjerë në Kosovë.

Duke folur për gjendjen në veri të vendit, Presidenti Sejdiu theksoi se në atë pjesë të vendit ka krim të organizuar ekonomik. Ai ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të doganave me të gjitha institucionet, me qëllim të pengimit të këtyre dukurive, si dhe për rritjen e cilësisë së punës. Presidenti Sejdiu ka theksuar gjithashtu rëndësinë e nënshkrimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit me shtetet tjera, me qëllim të rritjes së shkallës së bashkëpunimit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›