E Shtunë, 31 Tetor 2026

Indi, dënohet mjeku, mori ryshfet 50 cent

Nju Delhi-Një mjek në Indi, është dënuar nga një gjykatë vendase pasi kishte pranuar si ryshfet shumën prej gjysmë dollari, pothuaj një çerek shekulli më parë, njoftuan sot zyrtarët. Policia federale e Indisë e kapi Balgovind Prasadin, 75-vjeçar, duke marrë një ryshfet prej 25 rupish (51 cent) nga një fshesar në vitin 1985, pasi i kishte dhënë një vërtetim mjekësor të rremë, tha policia. Çështja u zvarrit për vite të tëra dhe Prasad u dënua në vitin 1992 me një vit burg. Ai u lirua pasi e apeloi vendimin.

Dje, një gjykatë më e lartë në shtetin lindor indian të Biharit, e uli dënimin nga një vit burg në tre muaj, duke u shprehur se shuma e ryshfetit ishte shumë e vogël, dhe e urdhëroi policinë ta mbante Prasadin në burg, përderisa ishte fajtor për krimin.

"Çështja ishte zvarritur dhe shuma e ryshfetit ishte tepër e vogël, kështu që Prasadi mendonte se vendimi kundër tij do të anulohej", i tha shtypit avokatja Vipin Kumar Sinha pas shpalljes së vendimit. "Por të gjitha akuzat kundër tij u vërtetuan". Drejtësia indiane punon shpesh me ritme shumë të ngadalta dhe një çështje mund të zvarritet për dekada të tëra me seanca pa fund.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›