E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu: Serbia qasje irracionale

Prishtinë-Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, deklaroi sot në Prishtinë se Kosova do të bisedojë me shtete të tjera si vend sovran. “Në asnjë situatë, në asnjë vend, në asnjë hapësirë dhe në asnjë temë, nuk mund të bisedohet për çështjet që kanë për qëllim hapjen e çështjeve statusore, çështje që duan të hyjnë në punët e brendshme të Kosovës, në sovranitetin, integritetin dhe funksionimin e institucioneve të saj. Prandaj, ne kemi thënë se në aso temash do të bisedojmë, në tema të kësaj ambicie – asnjëherë jo”, ka theksuar Presidenti Sejdiu, i pyetur rreth deklarimeve për bisedime të mundshme me Serbinë.

Sejdiu theksoi se kërkonte nga Serbia të ndërtonin marrëdhënie të fqinjësisë së mirë. “Qasja jonë themelore është që të punojmë vërtetë për të sinjalizuar ofertën tonë për fqinjësi të mirë dhe raporte të mira të bashkëpunimit edhe në sferën e bashkëpunimit ekonomik, sikur edhe me vendet e tjera dhe në këtë kuadër është përgjegjësi edhe e mekanizmave ndërkombëtare që të bëjnë trysni në Republikën e Serbisë që të hiqet nga kjo qasje irracionale”, tha Presidenti Sejdiu.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›