E Shtunë, 31 Tetor 2026

Finlanda ambasadë në Prishtinë

Prishtinë-Shefja e Zyrës finlandeze në Prishtinë, znj. Kristina Haikio i dorëzoi dje ministrit të Jashtëm Skënder Hyseni notën verbale të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Finlandës, përmes së cilës njoftohet për vendosjen e marrëdhënieve të plota diplomatike në nivel ambasadorësh. Prej 1 shkurtit, me vendim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Finlandës, zyra e deritashme e Ndërlidhjes së këtij vendi në Prishtinë, ngrihet në nivel ambasade. Ministri Hyseni, e falënderoi znj. Haikio për këtë vendim si dhe për mbështetjen që Finlanda i jep në vazhdimësi Kosovës.

"Ngritja e marrëdhënieve diplomatike në nivel ambasadash mes dy vendeve tona, është dëshmi e progresit të arritur në Kosovë si dhe e stabilitetit të vendit gjatë vitit të parë të pavarësisë", theksoi gjatë bisedës ministri Hyseni. Nga ana e saj, shefja e Zyrës Ndërlidhëse të Finlandës në Kosovë, znj. Haikio, konfirmoi edhe një herë mbështetjen e Finlandës për proceset në Kosovë. Ministri Hyseni ka pasur një takim pune edhe me ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë, Hans DieterSteinbach, me të cilin ka biseduar për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe për marrëdhëniet dypalëshe Kosovë Gjermani.

Gjatë bisedës ishte konstatim i përbashkët se, marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira dhe bashkëpunimi në të gjitha fushat ka një të ardhme të shkëlqyer. Një pikë e rëndësishme e bisedës ishte asistenca teknike që Republika Federale e Gjermanisë i ka ofruar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës dhe institucioneve të tjera të Kosovës.

Një grup prej 12 zyrtarësh të MPJ së, gjatë këtij muaji do të qëndrojnë në Gjermani në një trajnim ne Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë. Ky është një hap konkret në asistencën që Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë i jep Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, hap ky që u vlerësua nga dy bashkëbiseduesit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›