Doganat, pas Dervishit gati ndryshimi i drejtorëve të rretheve
Klima jo e mirë me biznesin dhe të ardhurat e ulëta, ishin edhe arsyet zyrtare të largimit nga puna të Drejtorit të Doganave Përparim Dervishi. Zv.ministri Mima, gjatë prezantimit të drejtorit të ri Endri Pema, theksoi se tani doganat duhet të përmirësojnë klimën me biznesin, duke lënë të nënkuptohet se një arsye e tillë ishte përdorur për shkarkimin e Dervishit. Megjithatë, duket se Dervishi po largohet nga doganat me një mosrealizim serioz gjatë këtyre tre muajve të parë. Sipas burimeve, janë rreth 30 milionë dollarë mosrealizim deri në mars që kanë sjellë edhe largimin e tij nga detyra. Drejtori i sapo emëruar Pema, gjatë prezantimit të tij është përqendruar pikërisht në rritjen e të ardhurave. “Targeti im do të jetë rritja e performancës. Kërkoj më shumë punë nga punonjësit”. Por duket se shkarkimi i Dervishit do të pasohet me lëvizje edhe për drejtorët e tjerë në rrethe. Edhe pse ndryshimet e këtyre të fundit nuk ka më shumë se tre muaj që janë kryer, burime nga qeveria pohojnë se Drejtori i ri do të kryejë sërish rokada në dogana. Pas lëvizjeve të këtij fillim viti, puna në degët kryesore doganore pati një rënie, si në realizimin e të ardhurave, ashtu edhe në komunikimin me biznesin.