E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet, ish-ushtarakët kundër ligjit të qeverisë: E çojmë në Kushtetuese

 

Ish-ushtarakët kundërshtojnë projektin e ri të qeverisë për pensionet suplementare. Sipas tyre drafti i ri nuk ka përmbushur asnjë kërkesë të Gjykatës Kushtetuese dhe miratimi i tij në fund të mandatit tregon se qeveria po përsërit historinë e qeverisë së Nanos. Në një intervistë për gazetën, përfaqësuesi i Shoqatës së ish-ushtarakëve, tregon për uljen e ndjeshme të përfitimeve nga drafti i ri. Sipas Zyhdi Kroit, e vetmja gjë e mirë e këtij ligji është vendosja e pagës referuese për efekt të llogaritjes së pensionit. Kroi shton se përfitimet e atyre që aktualisht marrin pension të parakohshëm, do të zvogëlohen. “Me miratimin e këtij projekti, oficerët do të marrin një të tretën e përfitimit aktual si pension të parakohshëm. Ne do ta ankimojmë sërish në Kushtetuese”
Qeveria ka vendosur të bëjë një ligj të ri për pensionet e ushtarakëve. Edhe ky në fund të mandatit të saj...
Unë tani jam njohur me këtë projekt por mund të them se është vazhdim i historisë së pensioneve të ushtarakëve që nisi nga qeveria Nano. Kjo vërtetohet vetëm me nenin që bën fjalë për kohën e shtrirjes së efekteve financiare. Në atë kohë, qeveria Nano e miratoi atë ligj më 20 maj, pra ditën e fundit të mandatit të parlamentit dhe efektet financiare shtriheshin nga 1 janar i 2006. Kjo përkonte me kohën kur qeveria Nano kishte bërë gati të dorëzonte dosjet e pushtetit. Kjo do të thotë se edhe ketë vit, me projektin e ri të qeverisë, efektet financiare shtrihen 2 javë pas botimit në fletoren zyrtare. Në një kohë kur Parlamenti ka dhe një muaj kohë pastaj shpërndahet. Pra nëse ky projekt miratohet brenda këtij mandati, përsëri zbatimi i tij do të mbetet për qeverinë e pas 28 qershorit. A do të ketë vullnet ajo qeveri që ta zbatojë këtë ligj? Përvoja tregon se nuk do të ketë vullnet por do të ndodhë e njëjta gjë që ndodhi edhe në 2005 që qeveria Berisha, në shkurt të 2006 e ndryshoi. Prandaj themi që është një histori që përsëritet.
Çfarë rregullon dhe çfarë prish ky projekt?
Projekti ka dy anë pozitive. Ai përfshin në ligj të gjithë ushtarakët e forcave të armatosura të policisë së shtetit të Gardës së Republikës Shërbimit Informative Shtetëror dhe Policisë së Burgjeve, etj. Gjëja e dyta është se në periudhën që ushtaraku trajtohet me asistencë ose pagesë kalimtare, kontributet derdhen me pagë referuese. Dhe kjo është ana më pozitive, sepse ligjet e mëparshme e kanë pasur për pagë minimale. Unë e vlerësoj këtë si arritje. Por ky projekt hap probleme të tjera. Një nga problemet që hap ky projekt është se shfuqizon disa ligje që kanë hyrë në fuqi e po zbatohen duke shkelur parimet themelore kushtetuese, që një e drejtë e fituar nuk mohohet. Marrim rastin e oficerëve ose ushtarakëve. Ata kanë rreth 3-4 vjet që marrin pensionet e parakohshme me një formulë tjetër. Marrin nga 50-60 mijë lekë pension të parakohshëm. Ata tani, me miratimin e këtij projekti, i bie të marrin një të tretën e kësaj shume. Dhe do ta ankimojnë në Gjykatën Kushtetuese këtë draft. Kjo është arsyeja pse them që kjo histori do të përsëritet, pasi ashtu siç e ankimuam ne në 2006-ën, dhe për rrjedhojë edhe ky ligj nuk ka për t’u zbatuar. Ky është mendimi im. Ka dhe probleme të tjera, pasi ky ligj ndryshon formulat ose ndryshon skemën. Skemën e pensionit të parakohshëm e ka ndryshuar, ka ndryshuar skemën e pensionit suplementar të pleqërisë, duke u ulur nivelin e pensionit që kishin ligjet e mëparshme. P.sh skema e para, pensionin e parë e kishte me grada. Ligji tjetër e kishte me katër pensione minimale koloneli, ndërsa qeveria Berisha më 16 shkurt të 2006 e bëri me 6 pensione minimale gjeneralin, 5 kolonelin e kështu me radhë, pra e përmirësoi. Tani skema ka ndryshuar. Kështu ka ndryshuar edhe skema e pensioneve suplementare të pleqërisë. Ligji i mëparshëm e ka pasur një skemë, që 15 vjet merrje 40 për qind të pagës ndërsa ky e ka çdo vit një për qind, pra nëse ke 20 vjet do të marrësh 20 për qind të pagës por jo më shumë se 50 për qind, pra është e njëjta gjë. 
A është reflektuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese në këtë projekt?
Jo nuk reflektohet sepse Gjykata Kushtetuese në një nen të veçantë ngarkon qeverinë të bëjë plotësimin në nenet që u shfuqizuan, janë shfuqizuar tre neni të rëndësishëm. Ky është defekti kryesor sepse nuk zbaton fare vendimin e gjykatës. Qeveria ka mbajtur qëndrim mospërfillës, për mua në këtë rast nuk bëhet fjalë për shtet ligjor.
Po standardet e vendeve anëtare të NATO-s, a janë zbatuar në këtë projekt të ri?
Në këtë projekt në tërësi flitet për standardet e NATO-s por realisht veprohet akoma me standardet e traktatit të Varshavës. P.sh në maj vendet e NATO, kur ushtaraku del në lirim i jep 8 paga mujore, në vendin tonë ky projekt i jep 2 paga mujore. Ose në Britaninë e Madhe i jep tre pensione vjetore, këtu vetëm për dy muaj. Pra nuk bëhet fjalë për standarde të NATO-s.
Çfarë kërkoni tani nga qeveria?
Ky draft nuk përfaqëson mendimin e grupit të interesit. Shoqata nuk ka dijeni fare për këtë. Që në 2006, që ata kanë dërguar një draft, më pas i ndërpremë marrëdhëniet me Ministrinë e Mbrojtjes, pasi me qeverinë as që bëhet fjalë fare. Shoqata ka një aktmarrëveshje bashkëpunimi me shtabin e përgjithshëm. Problemi i pensioneve, ata duhet të na e kishin nisur. Shtabi i Përgjithshëm e ka kundërshtuar këtë draft.
Cilat janë pikat që ju s’jeni dakord?
Ne do të donim që fryma e këtij drafti të ishte me vendimin e gjykatës. Që do të thotë të mos ndryshojë skema e pensioneve të parakohshme dhe suplementare. Mos të ndryshojë skema, se po ndryshoi ka rënie të përfitimit. Ky ligj, edhe ata që janë në detyrë nuk i stimulon pasi ata janë të garantuar që do të pësojnë të njëjtin fat me ne. Çdo qeveri është tallur me ish-ushtarakët por ajo që unë mund të them është, që gjithë kjo tallje do të konvertohet me vota kundër në zgjedhjet e qershorit.

3 here
ka ndryshuar ligji i pensioneve suplementare të ish-ushtarakëve. Ligji i miratuar ditën e fundit të Kuvendit në 2005, u ndryshua nga qeveria në vitin 2006 dhe pas rrëzimit nga kushtetuesja po ribëhet sërish gjatë këtij viti.

9985 persona
përfitojnë aktualisht nga ligji i ri për sigurimet e forcave ushtarake. Nga këta, 9602 janë ushtarakë dhe 382 janë ish-policë. Buxheti do të shpenzojë rreth 840 milionë lekë në vit për sigurimin e kësaj shtrese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›