Rekurs më 29 prill, Akuza: Rishikim "Durrës-Kukësit"
Trazhgim Sokolaj
Gjykata e Lartë shpalli dje se do të shqyrtojë më 29 prill 2009 kërkesën e Prokurorisë së Për-gjithshme për rrëzimin e vendimit të Gjykatës së Tiranës, që shpalli të pavlefshme aktet e dosjes "Durrës-Kukës" pas datës 6 nëntor 2008. Pak ditë më parë seanca e kësaj çështje u shty për shkak të mosparaqitjes së avokatit të Ministrit Lulzim Basha. Gjykata u komunikoi palëve shtyrjen e seancës si dhe faktin se data e ardhshme do të shpallej në këndin e njoftimeve të Gjykatës së Lartë. Burime nga ky institucion, konfirmuan dje se Kolegji Penal do të shqyrtojë më 29 prill 2009, rekursin e Prokurorisë së Përgjithshme. Kjo e fundit kërkoi shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Tiranës, të lënë më pas në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit, për pavlefshmërinë e akteve të dosjes "Durrës-Kukës" pas datës 6 nëntor 2008. Një vendim i tillë i gjykatave goditi dosjen në thelbin e saj, pasi nxori jashtë afatit të hetimit, thirrjen e ministrit Basha si i pandehur dhe aktin e njoftimit të akuzës shpërdorim detyre. Por ndërsa Gjykata e Lartë nuk i ka dhënë fund ende këtij interpretimi, pak ditë më parë, më 10 prill 2009, Kolegji Penal shpalli fashikullin e dosjes "Durrës-Kukës" të dërguar nga Prokuroria më 5 dhjetor 2008, si "absolutisht të pavlefshëm". Argumenti i Gjykatës së Lartë ishte se Prokuroria e Përgjithshme kishte ngritur akuzën dhe kishte njohur Bashën me provat, jashtë afatit hetimor të ndërprerë më 6 nëntor 2008 nga një vendim i Gjykatës së Tiranës.
Rishikimi i vendimit
Prokuroria e Përgjithshme tha dje se do të kërkojë rishikimin e vendimit për pavlefshmërinë e dosjes "Durrës-Kukës" nëse Gjykata e Lartë merr në shqyrtim kërkesën e akuzës më 29 prill 2009. Sipas organit të akuzës, çështja që do të shqyrtohet ka efekt mbi procedimin penal dhe nëse kërkesa e Prokurorisë pranohet, atëherë Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, do t'u kërkohet të rishikojnë vendimin e 10 prillit 2009, që shpalli dosjen të pavlefshme. Nga ana tjetër, Prokuroria e Përgjithshme pohon se do t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për një interpretim në lidhje me imunitetin e ministrit Basha. Fakti se dosja ndaj tij u shfuqizua porse nuk pati një vendim pafajësie ndaj deputetit, është bërë shkak për paqartësi në lidhje me imunitetin. Prokuroria tha se do të kërkojë interpretim nga Gjykata Kushtetuese në mënyrë që çështja e imunitetit të Bashës të jetë e qartë kur dosja "Durrës-Kukës" të rihapet mbi bazën e provave të reja, që janë grumbulluar dhe pritet të hetohen në një dosje të re.
Pavlefshmëria
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me anë të një vendimi që ngjalli debate, vlerësoi më 10 prill 2009, pavlefshmërinë e dosjes "Durrës-Kukës". Sipas interpretimit të gjykatës, akti i formulimit të akuzës, thirrja si i pandehur dhe komunikimi i akteve për Lulzim Bashën, ishin bërë pas datës 6 nëntor 2009, kohë kjo e caktuar nga gjykatat si dita e fundit e afatit hetimor të dosjes në fjalë. Aktet e akuzës u konsideruar pa vlerë për shkak të afatit të hetimit.
Rihetimi
Prokuroria e Përgjithshme ka deklaruar se dosja "Durrës-Kukës" do të rihetohet bazuar në disa materiale që konsiderohen prova të reja. Bëhet fjalë për zërat e punimeve pas tetorit 2008 në segmentin Rrëshen-Kalimash si dhe për raportet periodike të Kontrollit të Lartë të Shtetit në lidhje me procesin e ndërtimit të autostradës. Prokuroria tha se këto prova nuk janë shqyrtuar në dosjen e parë dhe se të dhëna të tilla do të hetohen në dosjen e dytë që pritet të hapet së shpejti.