E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishtina paralajmëron Tadiç: Duhet leje për hyrje në Kosovë

 

Prishtina ka paralajmëruar presidentin serb se nëse do të vizitojë Kosovën duhet të kërkojë leje tek autoritetet kosovare ose do të mbetet në kufi. Deklarata erdhi nga ministri kosovar i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti pas njoftimeve të pakonfirmuara të mediave serbe se presidenti Borid Tadiç kishte planifikuar një vizitë në enklavat serbe në Kosovë gjatë ditës së sotme. "Asnjë delegacion zyrtar, i cili nuk do të marrë leje nga autoritetet vendore për të vizituar Kosovën, nuk do të lejohet që të hyjë në territorin e saj", u shpreh dje ministri Pajaziti. Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë ka autorizuar policinë që t'ia ndalojë hyrjen në Kosovë presidentit serb. Presidenca serbe nuk ka pranuar të deklarohet mbi këtë lajm, as mbi vërtetësinë e vizitës së parashikuar të Tadiç dhe as për deklaratën e ministrit të Brendshëm kosovar. Megjithatë, ka pasur reagime nga zyrtarë të qeverisë së Beogradit. Sekretari shtetëror në qeverinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç, tha se ky qëndrim i udhëheqjes së Prishtinës mund të provokojë tensione të reja ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Por kjo nuk e ka stepur Prishtinën, pasi qëndron në kuadrin e një paralajmërimit në ajër. Askush nuk dëshiron dhe nuk lejon më shpërthimin e dhunës në Ballkan kur ka mënyra të tjera zgjidhjeje, as vetë Presidenti Tadiç sipas deklaratave të tij. E vërteta është se autoritetet kosovare gjatë kohëve të fundit ua kanë ndaluar disa herë hyrjet në Kosovë zyrtarëve serbë. Disa herë pjesë e kësaj sfide është bërë ministri për Kosovën në qeverinë serbe, Goran Bogdanoviç. Ai ka tentuar tri herë të hyjë në Kosovë, herën e parë pasi kishte njoftuar autoritetet e UNMIK-ut, por jo ato kosovare dhe kjo kushtoi kthimi prapa. Dhe herët e tjera pa njoftuar zyrtarisht askënd. Autoritet serbe nuk pranojnë të marrin leje tek autoritetet e Prishtinës pasi sipas tyre, Kosova nuk është shtet. Deri vonë, vizitat e udhëheqësve serbë në Kosovë ishin lejuar nga UNMIK-u, por kjo përgjegjësi tani ka kaluar në duar të institucioneve të vendit. Vetëm pak javë më parë, zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksander Ivanko tha se UNMIK nuk kishte më kompetenca për të kontrolluar kufirin në Kosovë.      

Franca konfirmon pjesëmarrjen në Hagë
Franca ka pranuar pjesëmarrjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për të dhënë opinionin mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. "Franca do të paraqesë me shkrim qëndrimin e saj mbi këtë çështje", tha zëdhënësi i qeverisë franceze, Roman Nadal. Ai nuk tha se në cilën anë do të qëndrojë Franca, megjithatë për sa i përket vendeve që janë deklaruar për njohjen apo mosnjohjen e pavarësisë qëndrimi është i parashikueshëm. Por beteja mes Kosovës dhe Serbisë do të behët më interesante nga vendet, që nuk janë prononcuar ende mbi këtë çështje. Sipas së përditshmes serbe "Danas", Serbia e ka përfunduar argumentimin saj në dy libra me rreth 350 faqe me dokumente ligjore, me harta të Kosovës në faza të ndryshme historike në njërin libër, ndërsa në tjetrin me dokumente, që kundërshtojnë deklaratën e pavarësisë së Kosovës, sipas palës serbe. Serbia pret të marrë mbështetje nga Rusia, Kina, Gjeorgjia, Azerbajxhanit, Argjentina, Bolivia, Venezuela, Romania, Qipro, Spanja dje Sllovakia. Ndërsa SHBA, Britania, Gjermania, Franca, Zvicra, Austria, Finlanda, Danimarka dhe Sllovenia pritet të favorizojnë Prishtinën. Komentet e të gjitha vendeve do të paraqiten në Hagë më 17 korrik. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›