E Diel, 1 Nëntor 2026

Policët e vrarë nuk kishin dijeni për Dajtin, shkuan të kapnin drogë



Katër policët e vrarë gjatë kasaphanës së ndodhur në Durrës nuk kanë pasur dijeni lidhur me “objektivin” e vërtetë të aksionit, Dritan Dajtin. Ata thjesht janë sjellë si në një rast normal të kapjes së personave që disponojnë substanca narkotike. Ky informacion konfirmohet nga vetë radhët e uniformave blu dhe nga policë që kanë ndjekur dhe janë angazhuar në këtë aksion. Ky detaj duket se i jep një tjetër nuancë rënduese operacionit policor, pasi të katërt efektivët policorë që bënë ndërhyrjen e parë duket se kanë qenë të pozicionuar dhe të përgatitur për një operacion rutinë të ndalimit të një ose disa narkotrafikantëve që në makinë kishin drogë dhe jo të një grupi të strukturuar kriminal që udhëhiqej nga një prej personave më të kërkuar të vendit, Dritan Dajti. Nga ana e saj Policia shqiptare është treguar më e rezervuar se kurrë në detajimin e procesit të organizimit të këtij operacioni, duke mbajtur të fshehta thuajse të gjitha të dhënat operacionale që kanë lidhje me këtë ngjarje të rëndë. Ndonëse zyrtarë të Policisë e justifikojnë mungesën e sqarimit nga ana e tyre me “hetimin zyrtar që po zhvillon prokuroria”, ngelet fakti se institucionet shtetërore nuk kanë guxuar të përmendin sikur një emër të vetëm që ka qenë në krye të këtij operacioni, duke preferuar që informacioni zyrtar mbi këtë aksion të ngelet sa më i fshehtë të jetë e mundur.
Operacioni
Gjatë ditës së djeshme drejtues të lartë të Policisë së Shtetit kanë zhvilluar një mbledhje të posaçme duke analizuar ngjarjen në fjalë. Asnjë informacion nuk është bërë i ditur lidhur me atë ç’ka ndodhur në mbledhjen e krerëve të Policisë. Megjithatë, operacioni për arrestimin e Dritan Dajtit ngre shumë pikëpyetje, ende katër ditë pas tragjedisë. Policët që morën pjesë në këtë operacion, katër prej të cilëve mbetën të vrarë, nuk kishin veshur jelekë antiplumb, ndërkohë që nuk kishin dijeni se ata po shkonin të kapnin një person me rrezikshmëri të lartë. Por, përpos anës procedurale të operacionit, hetuesit dyshojnë se policët mund të jenë dekonspiruar nisur nga fakti që Dajti me shokë po largoheshin të armatosur. Dikush mund t’i ketë tradhtuar policët duke i rrëfyer Dajtit se po u afroheshin prangat, çka dyshohet ta ketë detyruar Dritan Dajtit të mbrohet me armë në momentin e fundit. Megjithatë, këto janë vetëm dyshime që mbeten për t’u verifikuar nga grupi hetimor i formuar nga Prokuroria për Krimet e Rënda.
Rindërtimi
Vetëm në media janë ofruar mbi pesë variante të mundshme të ngjarjes si pasojë e mungesës së një varianti zyrtar të ngjarjes. Hetuesit kanë rindërtuar mekanizmin e krimit të pesëfishtë që ndodhi të premten në Plazhin e Durrësit, por ende nuk ka një publikim zyrtar të këtij varianti. Prokuroria e Krimeve të Rënda do të ketë objekt të hetimeve të saj dhe parregullsitë, në mos dekonspirimin e aksionit për kapjen e Dritan Dajtit. Masakra e Durrësit duket se nuk do të ketë në qendër të hetimeve vetëm Dritan Dajtin dhe miqtë e tij, të cilët, gjatë aksionit të policisë për kapjen e tyre ditën e premte, vranë katër punonjës policie. Pikërisht edhe ky aksion pritet të zbardhet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Por, pavarësisht se grupi hetimor ka dijeni se Dritan Dajti ishte i rrezikshëm dhe operacioni për kapjen e tij ishte i vështirë për t’u realizuar paq, hetuesit po përpiqen të gjejnë përgjigjen e një tjetër pyetjeje që lidhet me operacionin e policisë.

Dajti mbante me vete vetëm sendet e “emergjencës”

I shumëkërkuari Dritan Dajti duket se ka qenë në çdo sekondë të arratisë të tij nën tensionin dhe makthin e shmangies së arrestit. Të paktën këtë gjë tregojnë sendet që iu gjetën atij në makinë dhe në shtëpi. Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka sekuestruar Dritan Dajtit disa sende personale, si një çantë dore, tre pistoleta, 10 aparate telefoni, si dhe 4 mijë e 500 euro. Ndërkohë iu sekuestruan edhe tri karta të falsifikuara policie me emrin Agron Zeneli, të cilat Dajti i përdorte kur kishte përballë policinë. Sipas këtyre burimeve, përveç tri kartave të identitetit me uniformë policie dhe me numrat seri të saj, Dajtit i është sekuestruar edhe një patentë shoferi e shtetit italian me po këtë emër dhe me foton e tij. Policia ka sekuestruar brenda makinës edhe një fenelinë policie që e mbante në kroskot dhe dy radio-lidhjeje të policisë, që ishin të vendosura në frekuencat e efektivëve të Durrësit. Mësohet se frekuencat e radio-lidhjeve i shumëkërkuari i ndërronte duke u bazuar në qytetin ku ndodhej. Përveç këtyre, policia ka sekuestruar në çantën e dorës së Dajtit plot 10 aparate celularë me numra Shqipërie dhe vendeve fqinje. Ndërsa po këqyren dhe verifikohen numrat, mesazhet dhe thirrjet e kryera nga këto numra telefoni, brenda dhe jashtë vendit. Në proces sekuestrimi është edhe banesa ku jetonte Dajti, megjithëse ka dyshime se banesa mund të jetë marrë në përdorim.

Hetimi, asnjë e dhënë për pasuritë e Dajtit

Ndonëse të dhënat operative që kanë prokurorët flasin për një numër të madh pasurish që Dajti ka, sidomos në sektorin e ndërtimit, ata ende nuk kanë mundur të gjejnë sikur një gjurmë të vetme që mund t’i çonte te këto pasuri të pretenduara nga të dhënat operative. Provat e deritanishme flasin se Dritan Dajti kishte mundësi të bridhte me një fuoristradë të shtrenjtë dhe të mbante një arsenal të kushtueshëm armësh, por burimi i të ardhurave ngelet mister dhe investimet e mundshme të Dajtit ngelen po kaq të paqarta dhe misterioze. Grupi hetimor në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ka dyshime se lëvizja lirisht e Dritan Dajtit në qytetin bregdetar të Durrësit mund të realizohej vetëm me pëlqimin e disa grupeve të vogla kriminale të dyshuara në zonë. Sipas të dhënave, Dajti kishte një emër për t‘u pasur frikë nga kundërshtarët e tij dhe për këtë arsye ai e kishte gjithmonë rrugën hapur. Fuqizimi i gjendjes financiare të tij, ku thuhet se Dajti kishte hyrë në botën e ndërtimeve të pallateve, solli që ai të respektohej dhe të bashkëpunonte me këto grupe kriminale. Madje ai dyshohet se ka qenë palë me disa nga ish-drejtuesit e organizatave kriminale në qytetin e Durrësit. Me gjithë informacionet që disponojnë hetuesit, Dajti asnjëherë nuk i ka lejuar vetes që mund të vihet në befasi nga punonjësit e policisë, pasi kishte rreth e rrotull persona të besuar, të gatshëm të jepnin jetën për të. I ndihmuar edhe nga pajisjet e policisë që mbante gjithmonë me vete, 38-vjeçari arrinte të ishte gjithmonë një hap para policisë. Ka dyshime se Dajti kishte rekrutuar në organizatën kriminale disa oficerë të Policisë së Durrësit, të cilëve, në këmbim të ryshfetit të majmë, merrte të gjitha informacionet operative.

11 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›