E Diel, 1 Nëntor 2026

Tregu i telefonisë celulare, shtohen 642 mijë përdorues krahasuar me vitin 2007



Ervin KOÇI

Zhvillimi i telefonisë celulare në vendin tonë po ecën me hapa shumë të shpejtë, paralel me zhvillimet e vrullshme të kësaj teknologjie të përparuar. Këtë e tregojnë edhe shifrat më të fundit të raportit të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare që merret me monitorimin e këtij tregu në vend, nga ku shihet një rritje shumë e lartë e përdoruesve të telefonisë celulare. Sipas të dhënave, në fund të vitit 2008 numri i përdoruesve të telefonisë së lëvizshme arriti në 2 964 473 përdorues, e cila përbën një rritje të ndjeshme me 27.6 për qind apo 642 mijë përdorues më shumë krahasuar me fundvitin 2007. Rritjen e ndjeshme të përdoruesve të kësaj telefonie raporti ia dedikon edhe futjes në treg të operatorit më të ri “Eagle Mobile”, që hyri në treg në mars 2008, duke rritur numrin e përdoruesve me afërsisht 260 mijë përdorues në fund të vitit 2008. Megjithatë, rritje në krahasim me vitin 2007 kanë pasur edhe dy operatorët e tjerë të telefonisë së lëvizshme kompanisë “AMC” dhe “Vodafone”, që respektivisht kanë një rritje në numrin e përdoruesve me 16.8 për qind dhe 16.3 për qind, apo me 200 mijë dhe 183 mijë përdorues. Sipas specialistëve të këtij autoriteti, në momentin kohor të hyrjes në treg të “Eagle Mobile”, tregu celular kishte arritur në afërsisht 2.3 milionë përdorues, apo mbi 70 për qind penetrim.

Autorizimet
Në sektorin e telefonisë celulare janë lëshuar katër autorizime individuale që më parë quheshin licenca: “AMC, sh.a”, “Vodafone Albania, sh.a”, “Eagle Mobile, sh.a”, “Mobile 4 Al sh.a”. Operatori “Mobile 4 Al” është operatori i katërt celular GSM, të cilit i akordua autorizimi individual nga AKEP-ja më datë 26.06.2009. Operatori “AMC” është licencuar si operator publik kombëtar i telefonisë celulare në vitin 1996 dhe ka funksionuar si kompani shtetërore deri në shtator të vitit 2000, kur u krye privatizimi i 85 për qind të aksioneve, pjesë e cila u ble nga “Cosmote Group”, operatori celular në Greqi, që është vetë pjesë e grupit OTE, operatorit të telefonisë fikse në Greqi. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës zotëroi rreth 12.6% të aksioneve të “AMC, sh.a”, deri në vitin 2008, kur u krye dhe shitja e kësaj pjese “Cosmote Group”. Afërsisht 2.4% të aksioneve zotërohen nga aksionerë të vegjël (punonjës të “AMC-së” në kohën e privatizimit). Operatori “Vodafone Albania” është licencuar si operatori i dytë kombëtar i shërbimit celular GSM në Shqipëri më 9 qershor 2001. “Vodafone International Holding” zotëron 51 për qind të kapitalit të “Vodafone Albania”, ndërsa “Vodafone Panafon International Holdings” zotëron 49 për qind të aksioneve. Kjo e fundit zotërohet në mënyrë direkte dhe indirekte në 99,4 për qind nga “Vodafone Group”. Më 3 gusht 2001 “Vodafone Albania” filloi ofrimin e shërbimeve të saj GSM në Shqipëri. Operatori “Eagle Mobile” është licencuar si operatori i tretë kombëtar i shërbimit celular GSM në Shqipëri më 1 mars 2004. Licenca i është dhënë Albtelekomit si pjesë e paketës së privatizimit të kësaj kompanie, proces i cili përfundoi në vitin 2007. Operatori “Eagle Mobile” filloi ofrimin e shërbimeve celulare në mars 2008.

Përdoruesit

Rritja e ndjeshme e numrit të përdoruesve celularë vazhdon të jetë në kontrast me rritjen e vogël të numrit të përdoruesve të telefonisë fikse, që në fund të vitit 2008 vlerësohet të jenë vetëm 325 mijë. Referuar INSTAT-it për numrin e popullsisë, si dhe të dhënave për tregun e telefonisë së lëvizshme dhe asaj fikse 2003-2008, janë përllogaritur vlerat e penetrimit të telefonisë së lëvizshme dhe telefonisë fikse. Në fund të vitit 2008 penetrimi i telefonisë së lëvizshme është 92 për qind, kurse ai i telefonisë fikse është 10 për qind.

Konsultimi

Analiza e tregut celular është një dokument për konsultim publik. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare miratoi bashkë me procedurën për publikim, dokumentin “Analizë e tregut celular, tregjet me shumicë të terminimit, tregu me pakicë i shërbimeve celulare dhe tregu me shumicë i akses/origjinimit: Konsultim Publik”. Procedura e konsultimit publik për dokumentin e analizës së tregut, si dhe detyrimeve të propozuara për FNT, të cilat janë pjesë e dokumentit të analizës, të kryhet për 60 ditë nga data 17 korrik 2009 deri më 15 shtator 2009. AKEP-i vendosi që të njoftohen palët e interesuara, përfshirë Autoritetin e Konkurrencës për këtë vendim dhe publikimin e dokumentit, duke i ftuar të gjithë të interesuarit për të dhënë komente.

11 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›