Shqipërisë i shtohen katër raste të reja me virusin e gripit të derrit
Emanuela Sako
Konfirmohen katër raste të reja me virusin A/H1N1 në vendin tonë. Rezultatet janë publikuar nga Instituti i Shëndetit Publik pas mbërritjes së rezultateve nga laboratori rumun. Tashmë numri i të prekurve të konfirmuar në total shkon në 12 persona. Ky laborator ka kthyer përgjigje pasditen e djeshme për 13 mostrat e dërguara nga ISHP, të cilat për Laboratorin e Virologjisë në ISHP rezultuan të gjithë si mbartës të virusit. ISHP-ja konfirmon se aktualisht janë 300 mostra të dërguara nga rrethet e vendit, por nuk ka raste për të dyshuar të tjerë. Virusi A/H1N1 ka shtuar influencën e tij dhe pritet të ketë një valë të re, e cila presupozohet nga specialistët të jetë më e madhe dhe me një rritje të ndjeshme në numrin e të prekurve.
Vonesa
Autoritetet shëndetësore kanë pranuar se në evidentimin e rasteve të dyshuara me gripin e derrit ekzistojnë disa probleme, të cilat pengojnë kurimin në kohë. Pëllumb Pipero, mjek infeksionist dhe anëtar i Komisionit të Pandemisë që është ngritur pranë Ministrisë së Shëndetësisë, shprehet se tashmë rritja e numrit të mostrave që analizohen në Laboratorin e Virologjisë në ISHP, i ka kaluar kapacitetet. Një fakt i tillë ka sjellë vonesë në përgjigjen e analizave për personat e dyshuar dhe një problem për fillimin e kurës me Tamiflu, e cila e ka efektin brenda 48 orëve që nga shfaqja e shenjave të para. Specialistët shprehen se ka vonesa në kthimin e përgjigjeve të mostrave që janë dërguar edhe në laboratorët rumunë, edhe në ato të ISHP-së. Sipas tyre, në rast se medikamenti përdoret me vonesë, nuk jep efektin e duhur. Përgjigjja e analizave të personave të dyshuar nga laboratorët e ISHP-së del për tri ditë, duke bërë që të kalojë periudha prej 48 orësh e fillimit të medikamentit. Pipero shprehet se janë mjekët infeksionistë ata që duhet të vendosin për trajtimin e menjëhershëm të pacientëve, ku mbi bazën e shenjave klinike të përdorin apo jo Tamiflu që në kontaktin e parë me pacientin. “Përgjigjja e analizave shpesh na vë në vështirësi për të mjekuar pasi medikamenti duhet përdorur 48 orët e para. Në fillim ISHP-ja na i jepte përgjigjet brenda disa orëve, tani na i sjell për tri ditë”, - shpjegon Pipero.
Rastet
Duke pasur parasysh faktin se numri i personave që dyshohet se janë prekur nga virusi pandemik vjen në rritje, mjekët infeksionistë shprehen se në të gjitha rastet e dyshuara duhet filluar menjëherë trajtimi me Tamiflu. Në rastet e dyshuara dhe të konfirmuara ky medikament jepet falas nga mjeku edhe në kushtet e shtëpisë. Pas daljes së analizave përfundimtare, personi që nuk rezulton të jetë prekur nga gripi pandemik e ndërpret menjëherë marrjen e Tamiflusë. “Në rast se një pacient vjen me shenjat klinike të influencës apo të gripit, qofshin këto respiratore, qofshin këto gastrointestinale dhe kanë të dhëna të forta epidemiologjike për të dyshuar, ne si specialistë për AH1N1 duhet të marrim një vendim: të fillojmë trajtimin me Tamiflu, apo të mos e fillojmë? Tashmë, duke qenë se numri i masave është rritur, kapacitetet nuk e përballojnë dot numrin e mostrave. Ne nuk e marrim dot përgjigjen për tri orë, por për tri ditë. Tri ditë do të thotë që e kalon afatin e 48 orëve, ndaj ne duhet të marrim një vendim më shpejt se kaq”, - theksoi mjeku infeksionist, Pipero.
Mënyra e trajtimit të pacientëve të dyshuar me A/H1N1
Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero konfirmon se Departamenti i Sëmundjeve Infektive pranë Fakultetit të Mjekësisë dhe QSUT-së ka marrë një vendim për trajtimin e personave të dyshuar me Tamiflu për të paktën 5 ditë. Në këtë mënyrë do të bëhet e mundur shmangia e thellimit të problemeve shëndetësore te pacientët.
“Për të gjitha rastet që paraqiten në spital apo kërkojnë ndihmën mjekësore në shtëpi dhe plotësojnë kriterin klinik dhe atë epidemiologjik të fillohet trajtimi me Tamiflu, pavarësisht nga koha e ardhjes së përgjigjes së analizave nga ISHP-ja dhe ta vazhdojnë trajtimin në rast se mjeku është i bindur ta vazhdojë trajtimin për pesë ditë së paku”, - theksoi infeksionisti Pipero.
Por edhe në këtë rast zgjidhja ka anët e veta negative. Trajtimi me Tamiflu shkakton probleme anësore nëse personi nuk është mbartës i virusit. Mjeku Pipero ka pohuar se trajtimi me Tamiflu sjell të njëjtat efekte anësore si te një pacient me grip, si te një pacient që nuk është i dyshuar, prandaj në çdo rast Tamifluja duhet të përdoret me rekomandim nga mjeku.
Për rastet e konfirmuara si të prekur nga gripi i derrit, por edhe për të dyshuarit që deri tani kanë rezultuar me gripin A, autoritetet shëndetësore theksojnë se të gjithë kanë paraqitur një kuadër klinik të lehtë.
Godo: “Shqipëria, negocime me kompanitë farmaceutike për vaksinën A/H1N1”
Ndërsa virusi po gjen përhapje të gjerë në të gjithë vendin, lind nevoja e sigurimit të vaksinës për parandalimin e tij në kohë.
Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, deklaroi se edhe Shqipëria ka hyrë në fazën e negocimeve me kompanitë farmaceutike që po merren me prodhimin e vaksinës kundër A/H1N1. Ministrja Godo thotë se ndoshta në vjeshtë vaksina do të vijë, por kjo ende nuk dihet dhe se mendohet të paktën të vaksinohet rreth 1/3 e popullsisë. “Thuhet që në vjeshtë do ta kemi. Praktikisht ne jemi në bisedime në mënyrë që ne të mbulojmë tërë atë kontingjent popullate. Ndoshta do të jetë 1/3 e popullatës, ndoshta dhe më shumë që ne mendojmë që duhen vaksinuar. Ka disa diskutime, disa bisedime të tjera, që vetë laboratorët farmaceutikë do t’i dhurojnë një numër të madh vaksinash OBSH-së. Ndoshta një sasi vaksine do të vijë dhe nëpërmjet OBSH-së”, - sqaroi Anila Godo.
Ministrja Godo shprehet optimiste përsa u përket dhurimeve që pritet të bëjë OBSH-ja për vendin tonë. OBSH-ja shpreson që deri në mes të muajit tetor të jenë gati rreth 100 milionë doza vaksine. Megjithatë, për shkak se vaksina po prodhohet me nxitim, ka shqetësime rreth rrezikut të efekteve anësore, ose për reaksionin alergjik që mund të shkaktojë në organizëm.
Kosovë, situata në kontroll për virusin A/H1N1
Nuk ka ndonjë masë të rekomanduar nga Organizata e Botërore e Shëndetësisë për virusin A/H1N1, që autoritetet kosovare nuk e kanë ndërmarrë, thonë zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë. Ata po ashtu theksojnë se nuk ka nevojë për panik. Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se deri tani në Kosovë janë regjistruar 6 raste të gripit të derrit. Këta pacientë janë trajtuar dhe thuhet se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë.
Ndërkaq, institucionet shëndetësore u bëjnë thirrje qytetarëve që të jenë të qetë e të kujdesshëm dhe i sigurojnë ata se, pavarësisht regjistrimit të rasteve të reja të dyshimta dhe të konfirmuara me virusin A/H1N1, gjendja është në kontroll.
Drejtori i Zyrës për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, pohon se pas konfirmimit të gripit të derrit në Kosovë, janë marrë të gjitha masat që janë në përputhje me nivelin e gjashtë të pandemisë së gripit. “Shqetësimet mbesin çdoherë. Qytetarët vazhdimisht kanë të drejtë të kritikojnë, mirëpo Ministria e Shëndetësisë po implementon të gjitha masat që i ka rekomanduar OBSH-ja. Është një kontroll, nuk është ndonjë kontroll strikt, sepse nuk lejohet të bëhet kufizimi i qarkullimit të njerëzve”.
A/H1N1 mbledh në Guadalahara presidentin e Meksikës, të SHBA-ve dhe të Kanadasë
Presidenti amerikan, Barak Obama, udhëtoi për në Guadalahara për takimin e tij të parë me udhëheqësit e Meksikës dhe Kanadasë. Barak Obama, presidenti meksikan Felipe Kalderon dhe kryeministri kanadez Stivën Harpër, pritet të diskutojnë sot një sërë çështjesh të ndryshme. Gripi i derrit, tregtia, imigracioni dhe droga do të diskutohen në takime zyrtare. Kanadaja është partnerja kryesore tregtare e Shteteve të Bashkuara. Meksika është e treta. Të dy fqinjët ka të ngjarë të ngrenë shqetësimin se planet e Uashingtonit për rimëkëmbjen ekonomike po dëmtojnë bizneset në vendet e tyre. Ata e kanë kritikuar klauzolën e “blerjes së mallrave amerikane” që u kërkon projekteve publike të financuara nga paketa stimuluese të përdorin materiale të prodhuara në Shtetet e Bashkuara.
11 Gusht 2009