E Diel, 1 Nëntor 2026

Doganat, të ardhurat nga akciza pësojnë ulje të ndjeshme në 7 muaj



Të ardhurat doganore gjatë periudhës janar -korrik 2009 kanë pësuar një rënie të ndjeshme sidomos për mallrat e akcizës. Edhe pse të dhënat zyrtare të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, kanë pasqyruar një situatë krejt optimale për sa u përket të ardhurave doganore në total për këtë periudhë, mallrat e forta kanë treguar rënie. Të ardhurat e buxhetit të shtetit nga akcizat gjatë 7-mujorit të këtij viti qenë absolutisht më të ulëta sesa gjatë të njëjtës periudhë të vitit 2008, gjë që ka shtyrë shumë ekspertë të dyshojnë se evazioni fiskal me mallrat e rëndë ka arritur në nivele marramendëse. Të dhënat e fundit të publikuara nga Ministria e Financave tregojnë se në gjysmën e parë të 2009-ës, tatimet dhe doganat mblodhën 14.4 miliardë lekë të ardhura nga akcizat, shifër kjo 27 për qind më e vogël se sa plani dhe 3.6 për qind më e vogël se sa të ardhurat që ishin realizuar në gjysmën e parë të vitit 2008. Gjatë të njëjtës periudhë, akciza e naftës dhe ajo e benzinës u rritën ndjeshëm në shkurt të këtij viti, gjë që duhej të kishte dhënë efekt pozitiv në të ardhura. Por kjo gjë në fakt nuk ndodhi, së paku nuk u pasqyrua në shifrat zyrtare. Situata me të ardhurat doganore nga akciza duket se ka thyer çdo rekord negativ sidomos gjatë qershorit. Sipas të dhënave, plani për muajin e kaluar u realizua vetëm 49 për qind, ndërsa të ardhurat në krahasim me një vit më parë qenë 60 për qind më pak ose vetëm 670 milionë lekë. Rritja e evazionit dhe kontrabandës është një fenomen zgjedhor i përsëritur shpesh në Shqipëri.

Akciza

Të ardhurat e buxhetit të shtetit gjatë viteve të fundit nga akcizat janë rritur me shpejtësi, me mbi 20 për qind në vit, furnizuar kjo në masë të gjerë nga rritja e akcizave. Gjatë pesë viteve të fundit, këto lloj taksash që rëndojnë mallra të rëndësishëm, janë dyfishuar e në disa raste, edhe trefishuar. Shqiptarët paguajnë sot dy herë më shumë taksa për cigaret e pijet alkoolike dhe 60-70 për qind më shumë për çdo litër naftë të konsumuar, në krahasim me vitin 2004. Shqiptarët pritet të paguajnë edhe më shumë për këto mallra, duke filluar nga vjeshta e këtij viti. Qeveria ka njoftuar një rritje të re. Megjithatë, rezultati i pagesave të tepërta të qytetarëve nuk po pasqyrohen në buxhet. Të ardhurat nga akcizat kanë shkaktuar më shumë se gjysmën e deficitit në të ardhura buxhetore. Rritja e akcizave shoqërohet pothuajse gjithmonë me rritje të gatishmërisë së njerëzve për të rrezikuar, duke u marrë me mallra kontrabandë. Për më tepër, vendet fqinje me ne kanë tani për tani çmime të mallrave me akcizë më të lira në Shqipëri, gjë që krijon një hapësirë për kontrabandistët. Akcizat japin rreth 13 për qind të të ardhurave të buxhetit të shtetit, ose 300 milionë euro në vit.

Humbja në buxhet

Mungesa e të ardhurave nga mallrat e akcizës ka shkaktuar sakaq një vrimë prej 60 milionë dollarësh. Nëse situata nuk përmirësohet deri në fund të vitit, buxhetit do t‘i mungojnë 120 milionë dollarë, shifër kjo e barabartë me aq sa qeveria shpenzon në një vit për të shpërndarë asistencë sociale për 90 mijë familje të varfra. Buxheti ka realizuar sakaq 120 milionë dollarë të ardhura më pak nga planifikimi në vetëm gjashtë muaj, ndërkohë që shpenzimet janë rritur 27 për qind kundrejt vitit të kaluar. Qeveria është detyruar të përdorë të gjitha paratë e fituara nga dy privatizime të mëdha, ndërsa ka rritur huamarrjen e brendshme e të jashtme, si dhe i është drejtuar Bankës së Shqipërisë për kredi të drejtpërdrejtë, një metodë kjo që nënkupton thjesht rritje të emisionit të parasë dhe konsiderohet si rruga e zakonshme drejt katastrofës. Shqipëria e pati mbyllur historinë e huamarrjes së drejtpërdrejtë te banka qendrore që në vitin 2002. Kjo është hera e parë në tetë vjet që rikthehet. Performanca e të ardhurave të qeverisë nga janari deri më sot, në të ardhurat totale të buxhetit ka ardhur duke u përkeqësuar, ku qershori ka qenë muaji më i keq. Kështu, për tremujorin e parë, të ardhurat e buxhetit qenë 13.6 për qind më shumë se vitin e kaluar (kryesisht për shkak të të ardhurave nga privatizimet), ndërkohë që në prill ritmi i rritjes ra me 11.2 për qind, e me radhë, deri në qershor, ku ritmi i rritjes ra me 7.2 për qind.

8 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›