E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama nis bashkëpunimin edhe me të djathtën opozitare, takohet me Ndokën



Shaban Sulçe
Ashtu siç kishte paralajmëruar në punimet e Kongresit të Jashtëzakonshëm, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka nisur bashkëpunimin edhe me forcat e djathta, të cilat janë në opozitë me maxhorancën aktuale. Dje, kreu i PS-së ka zhvilluar një takim kokë më kokë, pa praninë e medias, me kryetarin e Partisë Demokristiane, Nard Ndoka. Mësohet se tema e këtij takimi ka qenë hetimi dhe zbardhja e krimit elektoral të 28 qershorit, për të cilën të dy liderët partiakë jo vetëm që kanë ndarë qëndrim të përbashkët, por e kanë cilësuar si shumë të rëndësishëm për të ardhmen e demokracisë shqiptare. Por Rama dhe Ndoka kanë folur gjithashtu edhe për çështje të tjera të aktualitetit politik, teksa nuk e kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokristiane edhe për fusha të tjera në të ardhmen. Ndërkaq, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, pritet të zhvillojë takime edhe me eksponentë të tjerë të së djathtës, si kreun e LZHK-së, Dashamir Shehi dhe kreun e Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela.

Takimi
Ka qenë një takim i zhvilluar pa praninë e medias dhe kokë më kokë midis liderëve të PS-së dhe PDK-së. Kreu i PS-së, Edi Rama, prej kohësh kishte lëshuar sinjale bashkëpunimi edhe me forcat e djathta, të cilat janë në opozitë dhe që ndajnë qëndrim të përbashkët për cilësinë e zgjedhjeve në Shqipëri. Ndoka i është përgjigjur ftesës së këtij takimi, në të cilin është diskutuar për maskaradën zgjedhore të 28 qershorit. Ndoka dhe Rama kanë ndarë qëndrim të përbashkët me atë që ka ndodhur me zgjedhjet në Shqipëri, duke fajësuar Partinë Demokratike dhe kryeministrin Sali Berisha si shkaktarë të deformimeve dhe manipulimeve të ndodhura. Ndoka dhe Rama janë ndalur kryesisht në diskutimet për qarkun e Shkodrës, ku kanë deklaruar se Partisë Demokristiane dhe Partisë Socialiste u janë grabitur nga një mandat në këtë qark, për shkak të këtyre manipulimeve.

Ndoka
Pas takimit Ndoka ka dhënë një prononcim për gazetën “Albania”, ku ka zbuluar detajet e bisedës dhe takimit që ka pasur me kreun në detyrë të Partisë Socialiste, Edi Rama. “Kemi rënë dakord se hetimi administrativ është shumë i rëndësishëm për të bërë transparencën e zgjedhjeve elektorale të 28 qershorit. Këto zgjedhje nuk i plotësuan standardet për shkak të manipulimeve dhe deformimeve të rënda, për të cilat përgjegjësja kryesore është Partia Demokratike dhe qeverisja e kryeministrit Sali Berisha. Jemi ndalur kryesisht në atë çka ka ndodhur në qarkun e Shkodrës, ku PDK-së dhe PS-së iu grabitën secilës nga një mandat për shkak të këtyre manipulimeve”, - tha Ndoka.

Rama, tur për organizimin e forcave opozitare

Takimeve të njëpasnjëshme të kryeministrit Berisha me partitë aleate në prag të fillimit të sezonit të ri politik, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama u është përgjigjur me të njëjtën monedhë. Kreu në detyrë i selisë rozë ka nisur një tur takimesh, të cilat kanë për qëllim riorganizimin e forcave opozitare. Pas takimit me aleatin tradicional, kreun socialdemokrat Skënder Gjinushi, Rama është takuar me kryetarin e Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, ndërkohë që pritet që kryesocialisti të zgjasë dorën e bashkëpunimit edhe me krerët e partive të djathta, gjithnjë nëse ato të jenë në pozicione opozitare ndaj qeverisë së re dhe kryeministrit Berisha. Dje Rama është takuar me Ndokën, ndërkohë që pritet që në ditët në vazhdim ai të zhvillojë takime me kreun e LZHK-së Dashamir Shehi dhe kreun e PLD-së Spartak Ngjela. Bisedimet e kryetarit të Partisë Socialiste me krerët e partive opozitare kanë lidhje me aktualitetin politik, por edhe me organizimin e opozitës për zgjedhjet më të afërta, që janë zgjedhjet lokale të vitit 2011. Në takimet e zhvilluara Rama ka kërkuar mbështetje ndaj qëndrimit të PS-së për ta konsideruar Parlamentin dhe qeverinë me legjitimitet thellësisht të cunguar. Gjithashtu kreu i PS-së ka kërkuar mbështetje dhe koordinim të aksioneve opozitare në këtë periudhë, ndërkohë që ka shpalosur edhe qëllimin e tij për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Rama paralajmëroi në Kongres bashkëpunimin me të djathtën
Në Kongresin e Jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste, kryetari në detyrë i PS-së, Edi Rama, teksa deklaroi rikandidimin për këtë post, tha se synonte që të vendoste dhe forconte bashkëpunimin me çdo forcë opozitare që angazhohej për shkurtimin e ditëve të qeverisë së re. Në këtë mënyrë, Rama paralajmëroi bisedime dhe bashkëpunim dhe me forca të së djathtës, të cilat jo vetëm që nuk gjenden në qeveri, por edhe janë pozicionuar si kundërshtare të Partisë Demokratike. Në këtë drejtim, kreu në detyrë i Partisë Socialiste pritet të zhvillojë shumë shpejt një takim me kryetarin e Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, si dhe me kryetarin e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi.

8 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›