E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tomason: Tifozët shqiptarët janë pak falsë

 

Jon Dahl Tomason, sulmuesi 33-vjeçar i Danimarkës, i ka cilësuar tifozët shqiptarë paksa artificialë. Ai ka thënë se ultrasit e përfaqësueses tonë, tjetër sjellje kanë jashtë fushës dhe ndryshe veprojnë në stadium. Në një intervistë të dhënë për mediat daneze, Tomason ka rrëfyer eksperiencën e tij të parë në Shqipëri, në ndeshjen e 9 tetorit të vitit 2004, kur Danimarka fitonte 2-0 në "Qemal Stafa". "Po, është e vërtetë që skuadra shqiptare ka tifozë shumë të mirë. Ata dinë të krijojnë atmosferë - ka thënë Tomason për 'Jylland posten' - Gjithsesi, kishte diçka që më bëri përshtypje. Kur ne mbërritëm atje, na pritën shumë mirë, madje ishin shumë kureshtarë të na shihnin edhe në stërvitje. Erdhën shumë tifozë për të na parë, pjesa dërrmuese e të cilëve nuk ishin gazetarë, por tifozë të thjeshtë. Në mbrëmje u sollën krejt ndryshe në stadium. Përpiqeshin të ishin sa më impulsivë, madje edhe të ushtronin presion, por kjo nuk mu duk shumë natyrale", është shprehur ish-sulmuesi i Milanit. Më tej, Tomason ka vlerësuar edhe ekipin shqiptar, duke shprehur hapur dyshime, se skuadra e nesërme, mund të mos jetë Shqipëria e muajit prill, që për asnjë moment nuk rrezikoi portën e danezëve. "Unë mendoj se kjo do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi Shqipëria nuk është ekip i dobët dhe përveç kësaj do të luajë pa asnjë presion. Ata nuk kanë asnjë objektiv dhe padyshim që të luash në të tilla rrethana, nuk është njësoj si të kërkosh me çdo kusht fitoren", ka shtuar më tej sulmuesi danez. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›