E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kombëtarja daneze, 20 mln dollarë fitime

 

Është një Danimarkë milionere. Nuk ka të krahasuar me kombëtaren tonë. Sipas një studimi të bërë në ditët e fundit nga mediat sportive daneze vetëm për këtë edicion kombëtarja e Danimarkës ka mundur të nxjerrë një shifër prej 20 milionë dollarësh përfitime. Këto janë të ardhura që federata daneze ka mundur të rikuperojë gjet ndeshjeve kualifikuese për botërorin 2010 nga e drejta TV, reklamat në stadiume, sponsorat e ndryshëm pranë këtij ekipe e deri tek shitja e biletave në stadiume. Ndërsa vetë federata daneze ka një buxhet prej 118 milionë dollarësh ç’ka të bën të kuptosh më së miri diferencën që ekziston mes këtyre të fundit dhe homologes së saj shqiptare. Vetëm nga e drejta TV shitur, një kompanie vendase Danimarka ka përfituar 7.5 milionë dollarë, ndërsa sipas të dhënave 9.4 milionë dollarë kanë ardhur nga donacione të ndryshme dhe reklamime. Po të kthehemi në Shqipëri këto shifra as që mund të imagjinohet (të paktën për momentin). Para një viti Federata Shqiptare e Futbollit arriti të shesë të drejtën TV për dy edicione në shifrën e 3.2 milionë eurove, ose thënë ndryshe për këtë edicion federata do të përfitojë 1.7 milionë euro përkundrejt 7.5 që ka përfituar federata daneze. Ndërsa reklamat dhe donacionet porsa i përket kombëtares sonë thuajse janë të papërfillshme në krahasim me atë daneze. Po ashtu edhe fitimet që dalin nga shitjet e biletave, një pjesë e të cilave shkon edhe si “haraç” shoqërisë aksionere SH.A, të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›