Gjinushi takohet me Ramën: “Koha për të fuqizuar opozitën”
Partia Social Demokrate shprehet sërish në mbështetje të qëndrimit të Partisë Socialiste për të bojkotuar Kuvendin, për shkak të manipulimeve të ndodhura në zgjedhjet e 28 qershorit. Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, është takuar dje sërish në një takim kokë më kokë në selinë rozë me kryetarin në detyrë të Partisë Socialiste, Edi Rama. Pas takimit Gjinushi e cilësoi të drejtë vendimin e PS-së për bojkotin. “Vendimi i Partisë Socialiste për të bojkotuar Kuvendin është zgjidhja më e drejtë, pasi janë shkelur në mënyrë flagrante standardet demokratike në këto zgjedhje dhe, për rrjedhim, Parlamenti është ilegjitim”.
Gjinushi tha gjithashtu se PS-ja ka të drejtë që të bëjë ankimim në Gjykatën Kushtetuese për zgjedhjet. “PS-ja nuk mund t’i pranonte deformimet e zgjedhjeve dhe përveç kushteve që parashtron për hetim komplet të këtij procesi, ka dhe një opsion tjetër, apelimin në Gjykatën Kushtetuese”, - vijoi ai. Kreu i PSD-së foli gjithashtu edhe për çështjen e bashkimit të së majtës. Sipas tij, kjo është koha më e përshtatshme për një bashkim ndërmjet të gjithë së majtës. “Bojkoti i Parlamentit është vetën hapi i parë që mund të bëhet, pasi demokracia është cenuar rëndë, me qeveri dhe Kuvend ilegjitim, më pas do të ndërmerren hapa për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme”, - tha Gjinushi.
Kjo është hera e dytë që kreu i PSD-së ka shprehur mbështetje ndaj vendimit për bojkotin e Kuvendit nga ana e PS-së. Madje për këtë çështje ai shkëmbeu edhe polemika në distancë me deputetin socialist Ben Blushi, i cili është kundër bojkotimit nga ana e Grupit Parlamentar socialiste.
8 Shtator 2009