E Diel, 1 Nëntor 2026

Doganieri dhe tregtari, trafikantë makinash, arrestohen ne Durrës

19/10/2004  DURRËS - Kontrabanda e makinave në portin e Durrësit ka vënë në pranga një tjetër doganier, bashkë edhe me një person tjetër. Genci Ahmataj, doganier, dhe Ilir Bulku, një tregtar makinash, janë arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Durrësit, mbrëmjen e së hënës, pas hetimeve për përfshirjen e tyre në rrjetin e kontrabandës së automjeteve që vinë nga Perëndimi për tregun vendas.

Hetimi

Burime nga komisariati i Policisë së Portit të Durrësit kanë pohuar se zbulimi për përfshirjen e këtyre personave në aktivitetin e jashtëligjshëm është bërë nga Zyra e Luftës Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar. Agjentë të kësaj zyre kanë hetuar për një kohë të gjatë lidhjen mes tregtarit Ilir Bulku dhe doganierit Genci Ahmataj. Dyshimet për bashkëpunim të tyre në kontrabandë dhe falsifikim të vulave dhe dokumenteve janë zbardhur vetëm ditën e arrestimit të tyre. Agjentë të Zyrës së Luftës Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar kishin kohë që hetonin lidhjen mes pronarit të makinave dhe doganierit, pasi dyshohej se veprime të tilla ishin të përsëritura. Kjo u ka dhënë shkas agjentëve të kërkojnë verifikimin e plotë të itinerarit të automjeteve, që njohnin si pronar Ilir Bulkun si dhe të të gjithë dokumentacionit të automjeteve dhe të faturave.

Ilir Bulku, me detyrë mekanik në Ministrinë e Bujqësisë, ushtronte edhe aktivitet privat, duke u marrë me blerje makinash jashtë vendi për t’i tregtuar në Shqipëri. Mësohet nga burimet e policisë se Bulku, me banim në Sauk, të Tiranës, ka disa kohë që ushtron këtë aktivitet dhe për të përfituar së më shumë ka mundur të komprometojë doganierin Genci Ahmataj.

Zbulimi

Burime nga Zyra e Luftës Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar kanë thënë se Ahmataj, doganier në degën e doganës së Durrësit, e ka favorizuar Bulkun, duke i hequr pronarit një pjesë të detyrimeve për zhdoganim. Sipas policisë, më 14 tetor 2004 në port nga pronari i makinave të blera në Gjermani kanë zbritur në sheshin e trageteve gjashtë automjete të tipeve të ndryshme. Me ndihmën e doganierit Ahmataj, pronari ka zhdoganuar vetëm katër prej tyre, ndërsa për dy automjetet e tjera Bulku nuk ka paguar asnjë detyrim.

Burime nga dogana janë shprehur se Ahmataj ka mundur të falsifikojë dokumentet dhe në formularët përkatës makinat e pazhdoganuara janë cilësuar si makina shqiptare. Për të realizuar daljen nga sheshi të makinave, doganierit i është dashur të falsifikojë vulat dhe stampat, veprim i cili është diktuar nga agjentët e antikrimit.

Policia ka pohuar se dy prej gjashtë automjeteve ishin pajisur me dokumentacion të rremë dhe kjo përmes falsifikimit të bërë nga doganieri Ahmataj.

Arrestimi

Pas përpilimit të dosjes nga Zyra e Luftës Kundër Krimit Ekonomik, Prokuroria e Durrësit ka lëshuar katër ditë më pas një urdhërarresti për doganierin dhe mekanikun e Ministrisë së Bujqësisë. Sipas policisë së Durrësit, Ilir Bulku dhe Genci Ahmataj, të arrestuar të hënën, akuzohen për veprën penale të kontrabandës dhe falsifikimit të vulave.

Burime nga policia thonë se në survejim janë edhe persona të tjerë, të cilët mendohet se janë të implikuar në prodhimin e vulave të falsifikuara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›