Çamët reagojnë ndaj Stefanopulos
18/10/2004 Shoqata "Çamëria" ka reguar ashpër dje ndaj administratës së shtetit shqiptar, që nuk i lejoi të protestonin për të kërkuar të drejtat e tyre, gjatë vizitës së Presidentit grek. Në një deklaratë të dhënë për shtypin, shoqata "Çamëria" ka theksuar se shteti grek ka shkelur të drejtat ndërkombëtare për të drejtën e pronës. Sipas tyre, eksodi me dhunë i çamëve është i njohur nga të gjithë institucionet ndërkombëtare, ndaj Presidenti i këtij shteti nuk ka pse të deklarojë se nuk e njeh një çështje të tillë. Ata janë shprehur se do të vijojnë me protestat e tyre, për të kërkuar pronat që i kanë trashëguar nga baballarët e tyre. Nga ana tjetër, shoqata "Çamëria" ka kërkuar ndërhyrjen e shtetit shqiptar për të zgjidhur çështjen që ka mbetur pezull prej mëse 60 vitesh.