E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezarta Shkurta bëhet me menaxher

Këngëtarja simpatike Rezarta Shkurta ditët e fundit po udhëton shpesh drejt Kosovës. Arsyeja e vërtetë e këtyre vizitave nuk është ndonjë këngë e re, por zgjedhja e menaxherit që do të marrë në dorë frerët e karrierës së saj si këngëtare. Do të jetë pikërisht Genc Prelvukaj, ai që do të menaxhojë këtej e tutje gjithçka që ka lidhje me imazhin e saj si këngëtare, me hitet e reja dhe me videoklipet muzikore. Genci është një emër i njohur i muzikës rep në Kosovë, ndërsa njihet edhe si pjesëtar i grupit “Etno engjëjt”. Ende nuk dihet sesi do të shkojë ky bashkëpunim, pasi të dy janë ende në hapat e parë, ndërsa vetë Rezarta është e bindur në një sukses të sajin.   

Vihet në shënjestër Getoari!

13 anëtarët e “Baba Records” janë munduar ta kritikojnë grupin e muzikës rep “TBA” dhe sidomos “Rebel a.K.a UnikKatil”, me një këngë të tyre të re në albumin e tyre më të fundit, “Pika n’vesh”. Por disa anëtarë të “TBA”-së në Prishtinë, kur e kanë dëgjuar këngën aq shumë kanë qeshur, sa e kanë marrë si një shaka pa kripë nga ana e grupit rival. “Nëse rebeli Getoar do të bëjë bujë, atëherë ia vlen më mirë që ai ta përfundojë karrierën e tij muzikore. Reperi “UnikKatil” është më i njohur se ai, pasi të mos harrojmë këtu, që ai ka shitur albumin për 20 000 euro, kurse Geti s’mundet ta shesë as për 5000 euro”, ka thënë një anëtar i “TBA”-së. Madje, rreth 20 anëtarë të “TBA”-së e kanë përqeshur edhe festimin e ditëlindjes se Getit në KTV, dhe kanë thënë se çfarë “gangsta” është ai kur e feston ditëlindjen si një femër!

Albëria adhuron muzikën rep

Këngëtarja Albërie Hadërgjonaj është një adhuruese e repit dhe thotë se kjo muzikë ka arritur të përfitojë shumë adhurues në Kosovë dhe Shqipëri. Ajo ka qenë shumë e emocionuar gjatë këndimit të një këngë live gjatë një emisioni televiziv, e cila do të futet në albumin e saj. Këngëtarja ka thënë se priten edhe risi të reja nga albumi i saj i fundit, që së shpejti do të dalë në treg. Ajo po ashtu ka lavdëruar këngëtaren Adelina Ismaili, të cilën e ka quajtur primadonë të muzikës pop në të gjitha trojet shqiptare. Një lavdërim i tillë është dëgjuar rrallë mes artistëve shqiptarë, por duket se në këtë pikë ajo bën ndryshimin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›