Dogjani: Largimi i kuadrove shkatërroi policinë
Partia Socialiste i konsideroi si dështime ato suksese të Policisë së Shtetit, të cilat u përmendën nga ana e Kryeministrit Sali Berisha në analizën vjetore. Deputeti Asllan Dogjani, me anë të shifrave të përmendura, ka bërë me dije se numri i aksidenteve, vjedhjeve, krimit, lëndëve narkotike dhe korrupsionit, ka pasur rritje krahasuar me një vit më parë. Sipas tij, dështimet kanë ardhur për shkak se nga radhët e policisë janë larguar kuadro të specializuar, të cilët janë zëvendësuar me militantë, ndërkohë që këta të fundit, janë duke e kryer vetë korrupsionin. “Analiza e djeshme tregoi se Policia e Shtetit është nën nivelet më të dobëta të punës së saj, kjo jo për fajin e trupës së policisë, por për faktin e politikave dështuese e drejtuese të ndjekura nga qeveria ‘Berisha’”, tha ai. Dogjani shtoi se që policia ka dështuar gjatë vitit 2009 dhe nuk është në lartësinë e zbatimit të detyrës e ilustron edhe rasti i muajve të fundit në vitin e kaluar, ku për shkak të mungesës së drejtimit, mungesës së përgjegjësisë, paaftësisë së drejtueseve, korrupsionit, implikimit të punonjësve të policisë u vranë katër punonjës policie në Durrës apo dy të tjerë në Kukës. “Policia e Shtetit, me ndryshimet strukturore, ka dështuar në kontrollin e territorit, këtë e tregon numri i veprave penale të ndodhura, të pazbuluara, pa përmendur se sa janë të paevidentuara nga shërbimet e policisë”, deklaroi Dogjani.
#