E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdekja nga bajamet e Matilda Petritit, raporti mjekoligjor: Mjeku gaboi

Prokuroria e lexoi dje në gjykatë: Operacioni me mjete primitive, mangësi në kartelë, dhe neglizhencë

Prokuroria ka lexuar dje në Gjykatën e Tiranës raportin e përgatitur nga mjekoligjorët në lidhje me vdekjen e 17-vjeçares Matilda Petriti gjatë operacionit për heqjen e bajameve. I ulur në bankën e të akuzuarve është mjeku Xhevair Hoxhallari. Sipas akuzës, në raport thuhet se operacioni për kurimin e Petritit është realizuar me mjete primitive, mangësi në kartelë, mjekim me medikamente të gabuara, si dhe neglizhenca ditën e shtrimit në spital. Në grupin e ekspertëve janë dy mjekë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, dy mjekë dhe shefi i ORL-së, Pjerin Radovani. Pesë ekspertët kanë përcaktuar disa shkaqe të vdekjes së vajzës, që nga kryerja e operacionit me mjete primitive, mosmbajtja e një kartele të saktë me të dhënat për vajzën dhe ecurinë pas operacionit, mjekimin e pakujdesshëm, si dhe neglizhenca gjatë kohës që vajza u shtrua në spital. Mjeku Hoxhallari, sipas ekspertëve, ka regjistruar vetëm një fletë, konkretisht datën 6 prill 2009, ditë në të cilën vajza është operuar në klinikën private të tij në Pogradec, si dhe llojin e ndërhyrjes kirurgjikale. Kartela e ekzaminuar mbante vetëm emrin e vajzës, moshën e saj dhe se operacioni do t’i bëhej për heqjen e bajameve. Por, në ditët në vazhdim apo gjatë gjithë herëve që Matilda Petriti u paraqit me prindërit në klinikë për shkak të hemorragjive të shpeshta, mjeku nuk ka shtuar asgjë në kartelë, procedurë kjo e domosdoshme që ndiqet për pacientët. Një tjetër shkelje e rëndë e mjekut Hoxhallari është konsideruar prej ekspertëve edhe fakti që mjeku ka anashkaluar ndihmën për pacienten e tij atëherë kur ajo u soll në gjendje të rëndë në Tiranë. Në të njëjtin raport, operacioni i kryer ndaj Matilda Petritit konsiderohet i kryer me metoda primitive dhe jo sikundër kryhen operacionet e bajameve në Shqipëri. Prerja dhe vendosja e një gypi, si dhe mjekimi me jod të thjeshtë dhe jo me medikamentin e duhur, ka sjellë hemorragjitë e shpeshta dhe vdekjen e vajzës. Sipas ekspertëve, ka qenë pikërisht kjo shkelje që ka shkaktuar prerjen fatale të një prej venave furnizuese me gjak, gjë që ka sjellë edhe vdekjen e adoleshentes nga Maliqi i Korçës. Pas leximit të raportit, avokatët e të pandehurit i kanë kërkuar gjykatës që të thërrasë për dëshmi edhe mjekët e mjekësisë ligjore që kanë përgatitur raportin përfundimtar.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›