Dibër, radhë të gjata për librezat shëndetësore
Pacientët ankohen se një sportel i vetëm nuk mund t’i shmangë pritjet e gjata
Vazhdojnë radhët e gjata pranë zyrave të tërheqjes së librezave shëndetësore. çdo ditë, pranë tre sporteleve të hapura nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shëndetësore Dibër, në qytetet Peshkopi, Bulqizë dhe Burrel, me dhjetëra banorë zënë radhën qysh në orët e para të mëngjesit për të marrë një librezë shëndetësore. Shkak i dyndjeve është bërë urdhri i ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, për kryerjen me pagesë të vizitave në spitale në mungesë të librezës shëndetësore, si dhe marrjen e përmuajshme të ilaçeve me rimbursim në farmaci. Ata ankohen se një sportel i vetëm i hapur për këtë qëllim, nuk mund t’i shmangë radhët, pasi shërben për të gjithë banorët e rrethit. “Më është dashur të vij që në orën 07:30 të mëngjesit dhe deri në orën 16:00 kur dhe u mbyll kjo zyrë, munda të marr vetëm një librezë shëndetësore për vete, por jo për burrin dhe djalin e vogël”, thotë një grua me inicialet F.V nga Zerqani, i rrethit të Bulqizës. Madje në çdonjërin nga këto rrethe, ka fshatra si Lura, Kalaja e Dodës, Sllova, Selishta, zona e Gollobordës, Martaneshi, Xibri, Derjani, Macukulli, Ulza etj., largësia e të cilëve nga qendrat e rretheve përkatëse shkon deri në 50 kilometra. Gjatë gjithë këtyre ditëve të muajit janar, qytetarët nga të gjitha komunat e këtyre rretheve, janë dyndur pranë zyrave të aplikimit për marrjen e librezave shëndetësore, ku ankohen se janë përballur me radhë të gjata e sfilitëse, ku punonjësit e këtyre zyrave pohojnë se është e pamundur shmangia e këtyre radhëve, për shkak të fluksit të madh të banorëve. Ndërkohë, aktualisht situata e pajisjes së këtyre banorëve me librezë shëndetësore, është vështirësuar së tepërmi edhe për shkak të motit, me dëborë dhe temperatura të ulëta. Banorë të komunave të largëta malore, e kanë të vështirë ardhjen pranë qendrave të rretheve, për t’u pajisur me librezë shëndetësore, për shkak të bllokimit të rrugëve nga prania e akullit.
#