Dogjani: Policia asnjë plan kundër krimit për 2010
Deputeti Asllan Dogjani, tha gjatë një konference për media, se numri i aksidenteve, vjedhjeve, krimit, lëndëve narkotike dhe korrupsionit, ka patur rritje krahasuar me një vit më parë. “Berisha dje nuk bëri gjë tjetër vetëm se ju shiti shqiptarëve dështimet e policisë si sukses të qeverisë së tij dhe nuk paraqiti ndonjë strategji konkrete se si do të arrijë standardet që kërkohen jo vetëm nga shqiptarët, por dhe faktori ndërkombëtar. Analiza e djeshme tregoi se policia e shtetit është nën nivelet më të dobëta të punës së saj, kjo jo për fajin e trupës së policisë, por për faktin e politikave dështuese e drejtuese të ndjekura nga qeveria Berisha”, theksoi deputeti opozitar. Sipas tij, dështimet kanë ardhur për shkak se nga radhët e policisë janë larguar kuadro të specializuar, të cilët janë zëvendësuar me militant, ndërkohë që këta të fundit, janë duke e kryer vetë korrupsionin. Ai shtoi se edhe për vitin 2010 “nuk pamë apo dëgjuam se çfarë strategjie ka për të parandaluar kultivimin e bimëve narkotike në qarqet problematike si Gjirokastra, Durrësi rrethi i (Krujës), Shkodra etj”. “E ndërsa qeveria paraqet si sukses dështimet e policisë për vitin 2009, kambana e alarmit nga ndërkombëtarët ka kohë që ka filluar, duke kërkuar forcimin e shtetit ligjor, zbatimin e ligjit, bashkëpunimin midis institucioneve dhe luftë pa kompromis kundër krimit të organizuar e korrupsionit, depolitizimin e policisë si kusht kryesor për integrimin e vendit në BE”, vijoi deputeti Dogjani.