Urgjent Këshilli i Evropës shkrin kredencialet e delegacionit shqiptar

Strasburg, 26 janar, NOA Komiteti i
Rregullores ka shkrirë kredencialet e Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të
Këshillit të Evropës.
Lajmi është konfirmuar për mediat nga anëtarja
e delegacionit shqiptar në këtë organizëm, Mesila Doda, por edhe deputetja
Lajla Përnaska, sipas të cilave tashmë në Këshillin e Evropës gjithçka është në
rregull për Shqipërinë.
Ato kanë sqaruar sesi për shkrirjen e
kredencialeve të delegacionit shqiptar u mor një vendim unanim nga Komiteti i
Rregullores, madje pro saj votoi edhe Andreas Gross, kreu i grupit socialist në
Asamblenë Parlamentare të KE-së, në një kohë kur ka qenë vetë ai i cili kërkoi
ngrirjen e kredencialeve të vendit tonë.
Ndërkaq, ditën e djeshme u konfirmua lajmi se Këshilli
i Evropës ngriu kredencialet e
delegacionit shqiptar, pasi delegacioni i Shqipërisë
nuk përputhej me vlerat evropiane.
Por duket se dy ditë para publikimit të
raportit të këtij institucioni për Shqipërinë, Këshilli i Evropës ka reaguar
pozitivisht ndaj vendimit të lartpërmendur duke i njohur delegacionit të vendit
tonë sërish të drejtën e votës.
n.e/NOA