Martesat gay, mungesa e opozitës bllokon nismën
Për të ndryshuar Kodin e Familjes, ku përcaktohet dhe koncepti i martesës, duhen plot 84 vota
Mungesa e opozitës në sallën e Kuvendit bën që nisma e qeverisë për martesat mes së njëjtës gjini të bllokohet, duke mos arritur të kalojë. Mazhoranca duket se është tërhequr nga neni që parashikonte martesat brenda të njëjtit seks, kjo për faktin se për të ndryshuar Kodin e Familjes, ku përcaktohet dhe koncepti i martesës, duhen plot 84 vota. Pas më shumë se gjashtë muajsh nga koha kur Kryeministri lajmëroi hartimin e një projektligji për martesën “gay”, drafti po shqyrtohet në Kuvend, por pa nenin që e parashikonte këtë hap. “Instituti i martesës është një institut që rregullohet nga Kodi i Familjes, dhe kodet janë ligje të një rëndësie të veçantë, që miratohen nga Kuvendi me një mazhorancë të cilësuar”, shprehet Vjollca Meçaj, drejtuese ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Sipas saj, të prekësh Kodin e Procedurës, të prekësh Kodin Civil, Kodin Penal, nuk është kjo tryezë dhe nuk është detyrë e këtij ligji. “Ky është një ligj i thjeshtë, që ka për qëllim vetëm kuptimin e diskriminimit", thotë Meçaj. Projektligji i paraqitur në Kuvendin e Shqipërisë për mbrojtjen e personave të diskriminuar është hartuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, dhe mban firmën e 6 deputetëve të mazhorancës. Ai parashikon ngritjen e një institucioni të veçantë, që është Komisioneri për Mbrojtjen e Barazisë, i cili do të shqyrtojë të gjitha ankesat. Në bazë të draftit, gjobiten të gjithë ata që e diskriminojnë këtë kategori. Kështu, gjoba për zyrtarët diskriminues të administratës shtetërore është 1 milion lekë, ndërsa për bizneset dhe institucionet joqeveritare, 10 milionë lekë. “Ky ligj është i sponsorizuar nga shoqëria civile. Pavarësisht nga debatet që mund të ngjallë, diskriminimi është i papranueshëm. Kjo synon vendosjen mbi baza ligjore dhe jo diskriminuese të një të drejte tashmë tërësisht të ligjëruar në vendet europiane. Ky ligj duhet të shqyrtohet me seriozitetin më të madh, se ne vërtet nuk i ndalojmë këto martesa, por këto nuk ndodhin”, u shpreh Berisha në prezantimin e nismës ligjore. Sipas tij, ky ligj është në Parlament dhe duhet të shqyrtohet me seriozitetin më të madh, pasi është një standard që gjykoj se zhduk një lloj diskriminimi.
#