Gati memoriali, Lesi kryeson grupin e punës
Nënë Tereza
Me urdhër të Kryeministrit Berisha është vendosur ngritja e një komisioni shtetëror për “Realizimin e Memorialit të Nënë Terezës” me rastin e 100-vjetorit të lindjes së saj, që është më 26 gusht të këtij viti. Prandaj Kryeministri ka vendosur që në përbërje të këtij komisioni shtetëror të jenë figura të rëndësishme të kulturës, si dhe disa institucione, në mënyrë që programi dhe projekti i memorialit të jetë gati për më 26 gusht, ku do të vendoset guri i parë në themelet e kësaj vepre të madhe për nder të Nënë Terezës, humanistes me famë botërore dhe me origjinë shqiptare. Kryetar i këtij komiteti shtetëror është emëruar zv/ministri i Turizmit dhe Kulturës, Nikollë Lesi, i cili ka zhvilluar mbledhjen e parë këto ditë në zyrat e ministrisë. Në mbledhje ka qenë edhe zonja Liri Berisha, si presidente e fondacionit kulturor “Nënë Tereza”. Mësohet se nesër do të diskutohet e vendoset nga grupi i punës vendi ku do të ngrihet memoriali dhe në varësi të vendit do të jetë edhe projekti arkitektonik i tij, i cili do të kalojë në disa filtra si nga grupi i punës, ashtu edhe nga oponenca profesionale në këtë fushë, ku do të thirren arkitektë, skulptorë, njerëz të artit e të politikës, nga media etj., para se të vendoset për formën dhe kompozimin e memorialit.
#