E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dogjani: Qeveria mbyll veshët, siguria në vend në nivelin zero

Deputeti i Partisë Socialiste, Asllan Dogjani, duke marrë shkas nga grabitjet e fundit me maska të udhëtarëve, u shpreh se siguria në vend është nivelin zero dhe se qeveria mbyll veshët e sytë përballë kësaj situate. Në emër të PS, Dogjani ngriti shqetësimin se për sigurinë në vend, ku sipas tij janë rikthyer maskat, grabitjet me armë me pasojë vdekjen, apo vjedhjet e banesave dhe qytetarëve në rrugë. Situata e krijuar kohët e fundit ku janë shtuar

dukshëm vjedhjet me armë në rrugë, grabitjet e banesave, biznesmenëve, bankave, pikave të karburantit, pensionistëve u janë grabitur paratë,vjedhjet e xhepave në autobusë, të çantave, të sendeve të qytetarëve, sidomos grave në Tiranë, pa përmendur krimin e organizuar, trafikun e drogës, klandestinëve apo aksidentet e përditshme e të  shumta automobilistike me pasoja në njerëz, ngre pikëpyetje të mëdha për mungesën e sigurisë në vend, tha Dogjani. Deputetit socialist theksoi gjithashtu se paralajmërimi i Ambasadorit të OSBE Robert Boch se kriza ekonomike e cila ka prekur Shqipërinë do të sjellë rritjen e varfërisë në vend, do të shtojë kriminalitetin dhe do të përkeqësojë sigurinë e qytetarëve ka rënë në vesh të shurdhët, pasi njerëzit që na qeverisin nuk dëgjojnë jo vetëm opozitën por as partnerët që na asistojnë. Nga ana e tjetër Ministri i Brendshëm  bën parada suksesesh në vend që të marrë masa për parandalimin e goditjen e këtyre grupeve apo individëve që cenojnë çdo ditë jetën, sigurinë, pronën   e qytetarëve.  Bën demagogji se kemi goditur aq e kaq banda e grupe kriminale, dhe qytetarët shqiptarë e të huaj na qenkan të sigurt. Si mund të flitet për siguri kur vetëm një ditë më parë u informuam nga media se si u terrorizuan dhe u grabitën nga persona të armatosur dhe të maskuar 20 pasagjerët e linjës Dibër Selishtë në rrugë nacionale. Grabitja në të njëjtën mënyrë e një karburanti në Vlorë, apo grabitja e 20 mijë eurove në banesën e emigrantit në Korçë, pohoi ai. Sipas tij, nuk mund të flitet më për ku vetëm gjatë muajit Dhjetor në mes të ditës, në mes të qytetit të Korçës kanë ndodhur 6 grabitje me armë e maska, ku janë plagosur qytetarë apo punonjës në krye të detyrës. Si mund të flitet për siguri ku vetëm pak ditë më parë vidhet me armë dhe më pas ekzekutohet emigranti shqiptar, kur një biznesmen në Tiranë prej 8 ditësh rezulton i zhdukur, kur një tjetër emigrant në Vlorë është zhdukur që para festave të fundvitit, apo kur grabiten në mes të ditës  katër qytetarë sllovenë, shtoi ai. Dogjani vijoi duke thënë se ngjarjet e ndodhura sidomos vjedhjet me armë, vjedhjet me armë me pasojë vdekjen, kanë cenuar në themel rendin e sigurinë publike ndërsa Ministria e Brendshme pa pikë turpi, jo vetëm nuk merr masa, por as nuk shqetësohet për këtë rritje të frikshme të krimit të rrugës.Askush nuk është i sigurt në këtë vend nëse nuk është pjesë e pushtetit dhe oborrit. Qeveria është e paaftë të sigurojë jetën dhe pronën e qytetarëve shqiptarë, përfundoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›