Dogjani: “Qeveria të marrë masa konkrete për të ulur numrin e aksidenteve”
Partia Socialiste i bën thirrje qeverisë që të marrë masa serioze për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe të paraqesë një plan konkret. Deputeti Asllan Dogjani deklaroi se aksidentet po rriten nga viti në vit duke shënuar shifra të barabarta me bilanc lufte. “Berisha sot luajti rolin e staticienit duke paraqitur shifra me mbi 300 të vdekur nga aksidentet rrugore, që aksidentet nga viti në vit kanë pësuar rritje, se rrugët vuajnë nga standardet e sigurisë, ndërsa nga ana tjetër nuk iu tregoi shqiptarëve ndonjë plan apo strategji konkrete dhe se çfarë masash do të marrë qeveria për parandalimin e aksidenteve dhe arritjen e standardeve që kërkohen”,- u shpreh Dogjani. Sipas tij, qeveria ka dështuar në rritjen e sigurisë në rrugë jo vetëm për shkaqet që përmendëm më lartë, por edhe për politikat e gabuara të ndjekura me kuadrot e Policisë Rrugore, lëvizjet e shpeshta, zëvendësimi i specialistëve me militantë partie, niveli i ulët i pagave sidomos te roli bazë dhe i mesëm, mungesa e shpërblimeve, kushtet e jetesës, të strehimit, siguria në punë, kujdesi ndaj familjarëve të punonjësve të policisë janë faktor të tjerë shumë të rëndësishëm që kanë ndikuar në sigurinë rrugore.
27 Shkurt 2010