Gerald Knaus, mesazh tjetër Brukselit për vizat
Kur kanë mbetur rreth tre muaj nga përfundimi i afatit për mbajtjen e premtimit për Shqipërinë dhe Bosnjën për heqjen e vizave, kreu i Iniciativës për Stabiliteti Europian, Gerald Knaus, u ka dërguar një mesazh krerëve të institucioneve më të larta në Bashkimin Europian. Ai ka kërkuar përshpejtimin e procedurave dhe bashkërendimin e punës mes Këshillit të Ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë, me Komisionin Europian dhe Parlamentin Europian. Sipas Knaus, i njohur për lobimin që i ka bërë rajonit në procesin për heqjen sa më shpejt të vizave, Tirana zyrtare dhe Sarajeva i kanë realizuar të gjitha kushtet e parashikuara në Udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Ai u ka sugjeruar institucioneve vendimmarrëse që të bëjnë vlerësim thjesht teknik të procesit dhe të mos ndikohen nga gjendja politike që është sot në Shqipëri dhe Bosnjë. Drejtuesi i ESI-it konstaton se këto dy vende kanë qenë thuajse në të njëjtin hap me Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi në kohën që ato përfituan lëvizjen e lirë në zonën “Shengen”.
Në fund të letrës, zoti Knaus thotë se nuk duhet të krijohet ideja te qytetarët e shteteve të Ballkanit se disa vende janë më të favorizuara dhe disa të tjera janë të diskriminuara. Letrën e plotë të drejtorit të ESI-it drejtuar Komisionit Europian, Grupit të Punës për Liberalizimin e Vizave, Parlamentit Europian dhe Sekretariatit të Këshillit të Ministrave të Brendshëm dhe Drejtësisë të BE-së, e gjeni më poshtë.
LETRA
Situata politike të mos i penalizojë shqiptarët për heqjen e vizave
Drejtuesi i ESI-it, Knaus, u dërgon mesazh krerëve më të lartë në Bruksel
Vlerësimi, sipas Udhërrëfyesit. Nuk ka kohë për të marrë vendimin
Gerald Gnaus
Heqja e vizave për Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi në muajin nëntor të vitit 2009 ishte një lajm shumë i mirë për Ballkanin Perëndimor, si dhe për politikën e BE-së. Gjithashtu, ishte e rëndësishme dhe inkurajuese që Këshilli dhe Parlamenti Europian, në të njëjtën kohë, nxorën një deklaratë politike, me një premtim konkret, për qytetarët e dy vendeve; Shqipërisë dhe Bosnjës, të cilët akoma nuk kanë përfituar nga heqja e vizave:
"Parlamenti Europian dhe Këshillit shpreson se Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina do të kualifikohen shpejt për liberalizimin e vizave. Për këtë arsye, Parlamenti Europian dhe Këshilli kërkojnë që këto dy vende të bëjnë të gjitha përpjekjet për të përmbushur të gjitha standardet e përcaktuara në Udhërrëfyesin e Komisionit të Parlamentit Europian. Këshilli e ftoi Komisionin që të paraqesë brenda një kohe të shkurtër një propozim legjislativ për amendimin e Rregullores (KE) Nr. 539/2001, pasi të bëhet vlerësimi për secilin vend nëse i plotësojnë standardet e përcaktuara në Udhërrëfyesin e Komisionit, me synimin për të arritur, sa më shpejt të jetë e mundur, liberalizimin e vizave për qytetarët e këtyre vendeve. Parlamenti Europian dhe Këshilli do ta shqyrtojnë propozimin për amendimin e Rregullores (KE) Nr. 539/2001 në lidhje me Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën si një çështje urgjente".
Në dritën e këtij premtimi, që përcakton në mënyrë të qartë liberalizimin e vizave për dy vendet, si "një çështje urgjente", për të drejtuar "sa më shpejt të jetë e mundur", është alarmues fakti se axhenda aktuale e Komisionit Europian, në mënyrë të efektshme, përjashton mundësinë e lëvizjes pa viza për Bosnjën dhe Shqipërinë para pushimeve të verës, ndonëse këto dy vende i kanë përmbushur sot të gjitha kushtet.
Kjo nuk përkon dhe panoramën e deklaratës së lëshuar nga Këshilli dhe Parlamenti Europian. Kur kjo deklaratë u negociua, objektivi i diskutuara ishte korriku i vitit 2010.
Gjithashtu, afati tregon se kur bëhet fjalë për çështje "urgjente", aplikohen standarde të dyfishta në vende të ndryshme në Ballkan. Ajo që mbetet më e rëndësishme është se nuk ka asnjë arsye për ta shtyrë vendimin, përveç mungesës së vullnetit politik.
Sot (dje, - shën. red.), misioni i fundit vlerësues, i përbërë nga ekspertë të Komisionit dhe shteteve anëtare, do të përfundojë shqyrtimin e situatës në terren në Shqipëri. Kjo do të thotë se në këtë mbrëmje, gjashtë misionet e parashikuara do të kenë përfunduar punën e tyre.
Në të dyja vendet misionet kanë shqyrtuar në muajin dhjetor sigurinë e dokumenteve (blloku I): kontrollin e kufijve dhe menaxhimin e migracionit (blloku II) dhe në shkurt, çështjet e rendit publik dhe sigurisë (blloku 3). Megjithatë, gjatë diskutimit të bërë ditën e martë, më 23 shkurt 2010, në Komitetin e Liberalizimit të Vizave në Parlamentit Europian, Komisioni njoftoi se nuk do të paraqesë vlerësimet finale para mesit të prillit. Një mesazh thuajse i njëjtë u përcoll më 24 shkurt 2010 nga Komisioni në një takim të Këshillit të Zbatimit të Paqes në Sarajevë.
Pasojat e kësaj janë të dukshme. E fundit, Këshilli i Ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë, nën kryesinë e Presidencës spanjolle, e ka planifikuar për më 3-4 qershor 2010. Edhe nëse vlerësimet tregojnë se Bosnja dhe Shqipëria janë gati për të udhëtuar pa viza, kur Komisioni planifikon të nxjerrë vlerësimet në mesin e muajit prill, si dhe kur takimi i Këshillit do të jetë më 3-4 qershor; - 6 apo 7 javë nuk do të jenë të mjaftueshme për Komisionin që të konsultohet; për të hartuar e miratuar një propozim legjislativ dhe Parlamenti Europian të bëjë pjesën e tij të punës për të ndjekur procedurën e bashkëvendimmarrjes. Kjo do të thotë se në qershor Këshilli nuk do të arrijë ta marrë një vendim të tillë.
Pra, procesi i vendimmarrjes do të duhet të vazhdojnë pas verës. Mbledhja e parë e Këshillit të Ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë, nën Presidencën e ardhshme belge të BE-së, është planifikuar më 7-8 tetor 2010. Nëse merret një vendim i tillë, ai mund të hyjë në fuqi jo më herët se 20 ditë më vonë, pra, pas botimit në Fletoren Zyrtare të BE-së. Pra, edhe në qoftë se Bosnja dhe Shqipëria, tashmë i kanë përmbushur të gjitha kushtet, qytetarët e tyre nuk do të jetë në gjendje të gëzojnë mundësinë e udhëtimit pa viza para fundit të tetorit 2010.
Kjo do të jetë një vit që nga koha kur ishte rënë dakord dhe ishte bërë deklarata politike nga Këshilli dhe Parlamenti Europian. Një vit nuk është "sa më shpejt të jetë e mundur". Në këtë mënyrë edhe Këshilli, edhe Parlamenti Europian nuk do të mbajnë premtimin e tyre për qytetarët e Shqipërisë dhe të Bosnjës.
Një vit është shumë për të pritur për një qeveri të tillë si ajo e Bosnjës, e cila ka bërë një përpjekje të madhe për të përmbushur të gjitha kushtet e BE-së dhe ka arritur një sukses të vlerësueshëm. Në vëzhgimet e bëra nga ESI në Bosnjë gjatë muajve gusht dhe shtator 2009, u duk qartë se ky vend i kishte arritur standardet e kërkuara që në maj të vitit 2009, në kohën kur ishte marrë vendimi që Serbia dhe Mali i Zi të udhëtonin në BE pa viza, me kusht që ata të plotësojnë disa kërkesa ende të pazgjidhura. Sipas vëzhgimeve të ESI-it, e njëjta gjë vlen edhe për qeverinë shqiptare, e cila bëri një hap të rëndësishëm përpara në fund të vitit të kaluar, duke arritur në një nivel të njëjtë.
Por, e rëndësishme është gjithashtu se një vit është kohë të gjatë për qytetarët, të cilët po presin me padurim që të udhëtojnë lirisht si fqinjët e tyre. ESI ka mbështetur procesin e liberalizimit të vizave për Ballkanin Perëndimor si një proces i bazuar në merita, me parimin, “i rreptë, por i drejtë”. Edhe pse është dhënë premtimi për të hequr vizat për Shqipërinë dhe Bosnjë në një kohë sa më të shpejtë, ka një vonesë të pajustifikuar. Kjo nuk është e drejtë për popujt e dy vendeve.
Për fat të mirë, ka ende një alternativë për të mos e thyer këtë premtim. Shtetet anëtare që kanë vënë ekspertët në dispozicion për misionet e vlerësimit mund të nxisin që raportet e tyre të vlerësimit të arrijnë sa më shpejt të jetë e mundur në Komisionin Europian, mbase brenda dy javëve të ardhshme. Komisioni mund të paraqesë vlerësimet përfundimtare në fund të marsit, para Pashkëve. Kjo do të lejojë që ajo të paraqesë një propozim legjislativ, së paku deri në mesin e prillit. Parlamenti Europian dhe Këshilli pastaj mund të respektojnë premtimin e tyre të dhënë në nëntor të vitit 2009 dhe ta përfshijnë propozimin si një çështje urgjente. Ne besojmë se kjo është rruga për të shkuar në afatet e përcaktuara.
Pasi vlerësimet të jenë në tryezë, është gjithashtu e rëndësishme që të dyja vendet të vlerësohen vetëm në bazë të kritereve të përcaktuara në Udhërrëfyesin e vizave. Në kundërshtim me disa ide që diskutohen nëpër korridoret e Brukselit, do të jetë thellësisht e padrejtë nëse çështje joteknike, të cilat nuk janë të lidhura me kushtet e Udhërrëfyesit, të ndikojnë në dhënien e vendimit pasi qytetarët e Bosnjës dhe të Shqipërisë do të gëzojnë të njëjtat të drejta si fqinjët e tyre. Më konkretisht, kjo do të thotë se çështje të tilla si data e zgjedhjeve në Bosnjë apo situata aktuale në politikën e brendshme në Shqipëri, nuk duhet të përdoren si një justifikim për t’i trajtuar këto dy vende në mënyrë të padrejtë. Ideja se disa vende në rajon janë të favorizuara dhe disa të tjera më pak të favorizuara nuk duhet të fitojë terren mes njerëzve në Ballkanit.
Përgatiti: A. Gjoka
27 Shkurt 2010