E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dogjani: “Siguria e jetës zero, qeveria, e paaftë”

Deputeti i qarkut të Kukësit ka shprehur shqetësimin se qeveria është e paaftë për të siguruar jetën në vend. Dogjani i është referuar ngjarjes më të fundit, ku persona të armatosur dhe të maskuar grabitën 20 pasagjerët e linjës Dibër-Selishtë, në rrugën nacionale. Gjithashtu, edhe grabitjes në të njëjtën mënyrë të një karburanti në Vlorë, apo grabitjes së 20 mijë eurove në banesën e emigrantit në Korçë. “Siguria në vend është zero. Krimi i rrugës rritet dita-ditës. Mediat raportojnë ngjarje shokuese, ndërkohë që qeveria mbyll veshët dhe sytë përballë atyre çka i rekomandojnë jo vetëm opozita, por edhe miqtë e partnerët që asistojnë Shqipërinë”, - u shpreh deputeti Dogjani.
Ai nënvizoi se ngjarjet e ndodhura, sidomos vjedhjet me armë me pasojë vdekjen, kanë cenuar në themel rendin e sigurinë publike. Ndërkohë, sipas tij, Ministria e Brendshme jo vetëm nuk merr masa, por as nuk shqetësohet për këtë rritje të frikshme të krimit të rrugës. “Si mund të flitet për siguri ku vetëm gjatë muajit dhjetor, në mes të ditës, në mes të qytetit të Korçës kanë ndodhur 6 grabitje me armë e maska, ku janë plagosur qytetarë apo punonjës në krye të detyrës. Si mund të flitet për siguri ku vetëm pak ditë më parë vidhet me armë dhe më pas ekzekutohet emigranti shqiptar, kur një biznesmen në Tiranë prej 8 ditësh rezulton i zhdukur, kur një tjetër emigrant në Vlorë është zhdukur që para festave të fundvitit, apo kur grabiten në mes të ditës katër qytetarë sllovenë”, - u shpreh Dogjani. Sipas tij, askush nuk është i sigurt në këtë vend nëse nuk është pjesë e pushtetit dhe oborrit.

6 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›