E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Lartë: Në janar do të nisin dy proceset ndaj Fatmir Mediut

Më 15 janar do të nisë shqyrtimi i padisë së 11-vjeçarit, ndërsa më 25 padia e gruas
Laureta Rryçi

Kolegjet e Gjykatës së Lartë përcaktojnë ditën kur do të nisin dy proceset ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Burime zyrtare pranë kësaj gjykate sqaruan dje për gazetën “Albania” se më datë 15 janar do të nisë seanca e parë për padinë e depozituar nga Roxhers Durda dhe më 25 janar seanca për padinë e depozituar nga Alketa Hazizaj. Gjykata e Lartë pranoi në muajin dhjetor të vitit të kaluar dy paditë civile në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Kolegji pranoi paraprakisht paditë e depozituara nga 11-vjeçari Roxhers Durda dhe Alketa Hazizaj, që të dy të dëmtuar nga tragjedia e Gërdecit. Burime zyrtare pranë Gjykatës së Lartë shpjeguan se trupat e gjyqtarëve që do të gjykojnë këto padi janë përzgjedhur nëpërmjet procedurës me short. Pas hedhjes së shortit me gogla, sipas procedurave të përcaktuara, trupa gjyqësore përbëhet nga Arjana Fullani, relatore e çështjes, Gani Dizdari, Mirela Fana, Majlinda Andrea dhe Aleksandër Muskaj. Në të njëjtën ditë u zhvillua edhe hedhja e shortit për caktimin e trupës së gjyqtarëve që do të gjykojnë çështjen e regjistruar në Gjykatën e Lartë, po në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu dhe i dëmtuar akuzues Alketa Hazizaj. Trupi gjykues përbëhet nga Andi Çeliku, relator i çështjes, Ardian Nuni, Irma Bala, Evjeni Sinoimeri dhe Evelina Qirjako.
Proceset
Pas pushimit të çështjes në ngarkim të ish-ministrit Mediu, banorët e Gërdecit vendosën të ndiqnin një tjetër rrugë ligjore për ta rikthyer ish-ministrin në bankën e të akuzuarve. Në të dyja paditë kërkohet që ish-ministri të marrë përgjegjësitë që i takojnë mbi tragjedinë e ndodhur dy vite më parë. Sakaq, banorët, në vitin që lamë pas, dorëzuan një kallëzim penal në Prokurori ndaj ish-ministrit në mënyrë që të rikthenin sërish dosjen e Gërdecit me të pandehur Mediun. Për këtë kërkesë të tyre, institucioni i akuzës ende nuk është shprehur në mënyrë zyrtare se si do të veprojnë për këtë kallëzim. Mirëpo, ndërsa nuk dihet se ç’do të bëjë Prokuroria, ministrit të Mjedisit, Fatmir Mediu, i duhet të përballet në Gjykatën e Lartë me paditë e banorëve të Gërdecit.
Dy paditë
Mes padive të banorëve të Gërdecit ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, pak javë më parë iu shtua edhe padia e një 10-vjeçari. I mituri, R. Durdaj në këtë proces civil do të përfaqësohet nga i ati i tij, Rigon Durdaj. Djali kërkon nga Drejtësia që të ndëshkojë ish-ministrin për shkak të plagëve që ka marrë ditën e tragjedisë më 14 mars të vitit 2088. “Më datë 15.03.2008, rreth orës 12:00, në fshatin Gërdec të bashkisë Vorë, dhe pikërisht në një fabrikë që çmontonte municionet luftarake, ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm gjatë të cilit kanë humbur jetën 26 viktima, si dhe kanë pësuar dëme në shëndet shumë persona të tjerë, ndërmjet të cilëve edhe kërkuesi, i cili ka marrë ndihmë mjekësore dhe është trajtuar në QSUT ‘Nënë Tereza’. Hetimi i kësaj ngjarjeje tragjike vërtetoi një numër të madh pasojash që kanë ardhur si rezultat i një seri shpërthimesh të ndodhura në ish-repartin e tankeve në Gërdec, i cili i ishte dhënë nga Ministria e Mbrojtjes një shoqërie private për kryerjen e proceseve të çmontimit industrial të municioneve. Shpërthimet masive kanë shkaktuar dëmtime shumë të rënda të interesave të shtetit dhe të shtetasve, duke krijuar një situatë tejet të rëndë social - ekonomike dhe duke dëmtuar sigurinë në gjithë rajonin që preku kjo ngjarje. Përveç viktimave dhe plagosjeve, kjo ngjarje ka cenuar rëndë një serë interesash të tjera të shtetit dhe të shoqërisë, siç janë: cenimi i rendit dhe i sigurisë në rajonin që përfshiu ngjarja, si dhe dëmtimin e imazhit të shtetit në raport me komunitetin/shoqërinë dhe më gjerë”, - shkruhet në padinë e 11-vjeçarit.
Sipas padisë që mban emrin e Alketa Hazizajt, thuhet se mbështetur në dokumente, evidentohen mjaft indicie dhe të dhëna që përbëjnë dyshim të arsyeshëm se shtetasi Fatmir Mediu ka kryer veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës së tij, në cilësinë e ish-ministrit të Mbrojtjes, se ato kanë lidhje shkakësore me pasojat e ardhura nga ngjarja e ndodhur në Gërdec. Indiciet, të dhënat dhe provat lidhur me veprimet dhe mosveprimet në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës të kryera nga ish -ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, janë renditur në padinë e plotë të Hazizajt.

Kolegjet që do të shqyrtojnë paditë ndaj ministrit Mediu

Më datë 11.12.2009, në Gjykatën e Lartë u zhvillua hedhja e shortit për caktimin e trupës së gjyqtarëve që do të gjykojnë çështjen e regjistruar në Gjykatën e Lartë, në ngarkim të të akuzuarit Fatmir Mediu dhe i dëmtuar akuzues Roxhers Durdaj. Pas hedhjes së shortit me gogla, sipas procedurave të përcaktuara, trupa gjyqësore përbëhet si më poshtë vijon:
1. Arjana Fullani, relatore e çështjes
2. Gani Dizdari
3. Mirela Fana
4. Majlinda Andrea
5. Aleksandër Muskaj
Ky proces do të nisë gjykimin më 15 janar të vitit 2010

Më 11.12.2009, në Gjykatën e Lartë u zhvillua hedhja e shortit për caktimin e trupës së gjyqtarëve që do të gjykojnë çështjen e regjistruar ne Gjykatën e Lartë, në ngarkim të të akuzuarit Fatmir Mediu dhe i dëmtuar akuzues Alketa Hazizaj. Pas hedhjes së shortit me gogla, sipas procedurave të përcaktuara, trupa gjyqësore përbëhet si më poshtë vijon:
1. Andi Çeliku, relator i çështjes
2. Ardian Nuni
3. Irma Bala
4. Evjeni Sinoimeri
5. Evelina Qirjako
Ky proces do të nisë gjykimin më 25 janar të vitit 2010

6 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›