E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita do të konstituojë frontin opozitar

Rama, Ngjela, Ndoka, Gjinushi, Milo do të jetë pesëshja e opozitës që do të drejtojë protestat në mbarë vendin gjatë këtij fillim viti. Ndryshe nga fundviti që lamë pas, ku PS-ja zhvilloi një tur protestash në mbarë vendin si një forcë e vetme politike, në raundin e ri të protestave pritet të jenë në tribuna edhe faktorë të tjerë politikë opozitarë në vend, duke filluar që nga forcat politike, ashtu edhe grupimet e tjera si sindikatat, ish-ushtarakët etj. Me qëllim formatimin sa më të plotë të lidershipit që do të udhëheqë protestat e opozitës, pritet këto ditë të mblidhet edhe tryeza e partive të opozitës, e cila do të institucionalizojë bashkëpunimin mes gjithë këtyre faktorëve. Në këtë tryezë, e cila do të drejtohet nga kryetari i PS-së, Edi Rama, do të jenë të pranishëm edhe krerët e partive të vogla opozitare, si ai i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, i Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi, i Grupimit G-99, Erion Veliaj, i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka etj. Bashkëpunimi i partive të vogla opozitare me forcën kryesore politike të opozitës do të ketë si qëllim largimin e kryeministrit Berisha dhe të qeverisë që ai drejton për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme, të cilat do të organizohen sipas drejtuesve më të lartë të opozitës nga një qeveri gjithëpërfshirëse mes pozitës dhe opozitës.
Shtyllat e protestave
Zgjerimi i rrathëve koncentrikë të protestave të opozitës synon në radhë të parë jo vetëm rritjen e nivelit përfaqësues në pikëpamjen politike, por edhe në atë sociale. PS-ja dhe forcat e tjera opozitare mësohet se do ta vendosin në dy shina lëvizjen e protestave, në planin politik dhe ekonomik. Nga ana tjetër, grupimi i opozitës në një bllok të vetëm shihet edhe si një lëvizje e partive të vogla opozitare për të mos humbur në mjegullën politike të krijuar pas humbjes së tyre në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Për të qenë pjesë e lojës politike ato janë të detyruara që të bëjnë një zgjedhje, e cila konsiston në faktin e ruajtjes së protagonizmit politik nëpërmjet pjesëmarrjes në protesta. Zyrtarë të lartë të partive të vogla opozitare bëjnë të ditur se paralelisht me protestat do t’i kërkohet PS-së, si forca politike kryesore e opozitës, që të hedhë piketat edhe të kërkesave për përmirësimet në Kodin Zgjedhor, pasi Kodi aktual ishte në disfavor për ta. Këto çështje pritet të diskutohen edhe në takimin që Rama do të ketë me të gjithë drejtuesit më të lartë politikë të opozitës.
Dialogu
Pavarësisht dinamikës së zhvillimit të ngjarjeve politike në vend, ku ngrica ka mbërthyer thuajse të gjithë trupën parlamentare për shkak të bojkotit të opozitës, socialistët shprehen se turi i ri i protestave do të varet në një farë mase edhe nga zhvillimet dramatike që po ndodhin në Veri të vendit për shkak të përmbytjeve. Sipas tyre, PS-ja po ndjek me shumë kujdes situatën në terren duke dërguar në zonat e prekura nga përmbytjet edhe deputetët e grupit të saj parlamentar. Gjithsesi, në pritje të zhvillimeve politike në vend, socialistët po përpiqen të vendosin edhe një këmbë te dera për të mos e lënë atë të mbyllet përfundimisht, duke nënvizuar se janë të gatshëm për dialog me qeverinë, si një mundësi reale për zgjidhjen e krizës politike në të cilën është zhytur vendi prej shumë muajsh. Krerët e PS-së këmbëngulin se kthimi i normalitetit politik dhe ecuria e dialogut do të varen nga vullneti i maxhorancës për të hapur kutitë e votimit, në mënyrë që vendi të dalë përfundimisht nga kriza e mosbesimit që është shkaktuar për shkak të dhunimit serial të zgjedhjeve në Shqipëri. Do të duhet edhe pak kohë për të parë nëse do të ketë një kthjellim të ujërave, apo vendi do të zhytet më tej ne krizë. Protestat e paralajmëruara të opozitës dhe mungesa e dialogut politik nuk parathonë një stinë të mirë politike në vend.

6 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›