E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhet e plotë deklarata e Këshillit të Stabilizim-Asocimit Shqipëri-BE

Komisioneri Fyle: “Klasa politike të tregojë maturi, të zgjidhë krizën”

Eljona Ballhysa
Këshilli i Stabilizim-Asocimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian ka zhvilluar dje mbledhjen e dytë në Bruksel dhe në përfundim kanë miratuar një deklaratë të përbashkët. Në këtë deklaratë, Këshilli i bën thirrje klasës politike shqiptare që të rivendosë sa më parë dialogun në Parlament, si kusht kryesor për plotësimin e kriterit politik për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Madje këtë apel e bëri dje gjatë konferencës së përbashkët për shtyp edhe komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle. Ai u shpreh se klasa politike shqiptare duhet të tregojë maturi dhe të gjejë sa më parë zgjidhjen e krizës politike në vend. “Udhëheqja politike në Shqipëri duhet të tregojë maturi, politikanët duhet ta zgjidhin këtë krizë. Janë të gjitha mjetet e nevojshme për t’i dhënë fund kësaj situate. Natyrisht, do të kenë mbështetjen tonë”, - nënvizoi Fyle, ndërsa tha se mjetet në të cilat duhet të mbështetet zgjidhja janë: gjykatat, Kushtetuta dhe institucionet.
Edhe sekretari spanjoll i Shtetit, Garrido, nënvizoi domosdoshmërinë e normalizimit të jetës politike në të mirë të vendin. “Dua të përsëris se një demokraci funksionon kur parlamenti punon. Kjo është mënyra më e mirë për të zgjidhur situatën”, - u shpreh Garrido.
Nga ana e tij, numri dy i qeverisë shqiptare, Ilir Meta, deklaroi gjatë fjalës së tij se mes kërkesave të opozitës për transparencë dhe vendosmërisë së maxhorancës për të mos dalë mbi vendimet e gjykatave, ekziston një hapësirë në të cilën mund të gjendet kompromisi. “Mes transparencës dhe respektimit të Kushtetutës ka një hapësirë për të gjetur një kompromis në mënyrë që të zgjidhen të gjitha çështjet e ngritura nga opozita. Shpreh keqardhje për këtë grevë urie. Kam qenë vetë në një të tillë, por unë mendoj se një grevë urie është një formë ekstreme, por nuk është mënyra e duhur për të zgjidhur të gjitha problemet”, - u shpreh zëvendëskryeministri Meta, ndërsa i bëri thirrje opozitës të dialogojë për të arritur një zgjidhje.
Deklarata
“Këshilli i Stabilizim-Asocimit mbështeti dje konkluzionet e Këshillit, i mbledhur më 7 dhjetor 2009, ku u nënvizua se zgjedhjet parlamentare të qershorit 2009 përmbushën shumicën e standardeve ndërkombëtare, ndërsa kishte disa mangësi dhe është e nevojshme që të përmbushen sa më parë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Më tej u nënvizua nevoja për forcimin e shtetit ligjor dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ashtu si dhe funksionimi normal i institucioneve shtetërore, në veçanti pavarësia e Gjyqësorit, që mbetet një sfidë për Shqipërinë. Këshilli gjithashtu bëri thirrje për nevojën e forcimit të kapaciteteve administrative, si dhe nevojën e një administrate të pavarur. Po kështu është theksuar se më shumë masa duhet të merren për përmirësimin e kushteve për të pasur një media të lirë. Këshilli vërejti se Shqipëria ka bërë progres në përmbushje të detyrimeve që rrjedhin nga Udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave. Këshilli inkurajoi Shqipërinë për të vazhduar rolin konstruktiv në rajon”, - shkruhet në deklaratën përfundimtare të mbledhjes së djeshme të Këshillit të Stabilizim-Asocimit mes BE-së dhe Shqipërisë.
Përsa i përket krizës politike, në deklaratë shkruhet se palët duhet të rivendosin dialogun në Parlament, pasi kjo situatë politike mund të sjellë pasoja të rënda përsa i përket procesit të integrimit në BE.
“Këshilli gjithashtu u bëri thirrje partive politike për të rivendosur dialogun politik në Parlament. Këshilli i Stabilizim-Asocimit shqyrtoi zhvillimet politike në lidhje me plotësimin e kriterit politik. Këshilli nënvizoi rëndësinë që ka vendosja e një dialogu politik konstruktiv midis partive kryesore politike dhe aktorëve kryesorë politikë, duke theksuar se kjo është një pikë thelbësore për partneritetin europian. Bashkimi Europian nënvizoi rëndësinë për të gjitha palët për të bashkëpunuar në mënyrë aktive për të rivendosur aktivitetin e ndërprerë parlamentar, që përfshin pjesëmarrjen e maxhorancës dhe të opozitës. Në shoqëritë demokratike parlamenti është vendi për dialogun dhe për zgjidhjen e diferencave. BE u bën thirrje liderëve politikë shqiptarë që të marrin në konsideratë pasojat e mundshme që sjell situata në rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE. Gjatë periudhës kur diskutohet për përgatitjen e opinionit për aplikimin e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit anëtar në BE, është i nevojshëm funksionimi normal dhe i plotë i Parlamentit për të demonstruar që Shqipëria ka maturitet demokratik dhe për të siguruar progresin e reformave kryesore. BE do të vazhdojë në të ardhmen që të ndjekë me vëmendje zhvillimet politike në përmbushje të kriterit politik. BE thekson se zgjidhja e situatës aktuale politike duhet të jetë e bazuar në principet fondamentale të demokracisë, të cilat janë respekti për Kushtetutën dhe transparenca.
Këshilli i Stabilizim-Asocimit mirëpriti plotësimin e Pyetësorit nga Shqipëria dhe dërgimin e tij në Komisionin Europian më 14 prill 2010, ndërsa bëri të ditur se Komisioni do të përgatitë opinionit për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Kjo shënon një hap të rëndësishëm për Shqipërinë drejt BE-së. Këshilli u informua mbi objektivat kryesore të Shqipërisë dhe shprehjes së vullnetit të fortë për të vazhduar procesin e reformave për të marrë statusin e vendit kandidat.
Këshilli mirëpriti progresin e bërë nga Shqipëria në përmbushje të Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Këshilli bëri të ditur se aspirata e Shqipërisë për një regjim të lirë vizash për qytetarët e saj do të bëhet e mundur sa më parë”, - shkruhet në deklaratën përfundimtare.
Përfaqësuesit e lartë të BE-së kanë diskutuar edhe për reformën në sistemin e drejtësisë. “BE theksoi rëndësinë për të miratuar një strategji për të reformuar Drejtësinë dhe i bëri thirrje Shqipërisë që të respektojë pavarësinë, transparencën dhe eficiencën e sistemit të drejtësisë dhe në veçanti të Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarëve dhe prokurorëve. Këshilli u informua mbi miratimin e ligjit ‘Për shërbimin përmbarimor privat’, u informua për amendamentet e ndryshimit të ligjit ‘Për prokurorin e Përgjithshëm’, ndërkohë që mbeten për t’u miratuar ligji ‘Për funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë’, ‘Konferencës Kombëtare të Gjyqtarëve’ dhe ligji ‘Për Gjykatën Administrative’. Në lidhje me luftën kundër korrupsionit, që mbetet një pikë kyçe për integrimin, Këshilli nënvizoi miratimin së fundi të Planit të Veprimit antikorrupsion 2010. BE-ja bëri thirrje për zbatimin rigoroz të planit dhe nënvizoi rëndësinë e zbatimit të strategjisë antikorrupsion.
Ai nënvizoi rëndësinë për ta vendosur investigimin në gjurmë të besueshme dhe larg ndërhyrjeve politike. BE shprehu pikëpamjen se korrupsioni vazhdon të mbetet i përhapur duke mbetur problem në shumë fusha dhe veçanërisht në mungesën e transparencës së fondeve të partive politike, si dhe në sektorin e shëndetësisë. Këshilli i bëri thirrje qeverisë që të vazhdojë më tej luftën kundër korrupsionit”, - shkruhet në deklaratë, në të cilën kërkohet gjithashtu zgjidhja e çështjes së pronës, gjë që sipas Këshillit të Stabilizim-Asocimit, kushtëzon zhvillimin funksional të tregut të pronave dhe mban larg investitorët e huaj.

12 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›