Presidenca spanjolle: Duhet qëndrueshmëri politike për integrimin në BE
Zëdhënësja e Presidencës spanjolle të Bashkimit Europian, Kristina Gallak, në një intervistë dhënë dje BBC-së, tha se Shqipëria nuk mund të ecë përpara drejt integrimit europian me një gjendje të paqëndrueshme politike. Gallak ka bërë të ditur se Presidenca spanjolle e BE-së u ka bërë thirrje udhëheqësve politikë në Shqipëri që të kapërcejnë gjendjen aktuale dhe të shkojnë drejt një qëndrueshmërie politike dhe një marrëveshjeje politike. Ajo tha se BE-ja u dërgon porosi të qarta qeverisë dhe opozitës në Shqipëri që ta kuptojnë rëndësinë e momentit dhe të çështjeve që lidhen me përparimin e Shqipërisë drejt BE-së. Duke folur për takimin e Sarajevës, zonja Gallak tha se pjesëmarrja e të gjitha vendeve të rajonit të Ballkanit është e një rëndësie të posaçme dhe e domosdoshme. Sipas saj, vetë ministri i Jashtëm spanjoll, Angel Moratinos, ka shfaqur bindjen e tij se takimi në Sarajevë do të rezultojë me porosi pozitive për të gjitha vendet e Ballkanit në marrëdhëniet me BE-në.
Cila ishte porosia e BE-së për udhëheqësit politikë në Shqipëri, pas 11 ditë të grevave atje?
Ashtu siç e kemi thënë, të gjitha vendet e BE-së, Presidenca e radhës dhe të gjithë ata që janë të përfshirë në situatën e Shqipërisë ajo që na duhet është të lëvizim nga situata aktuale drejt një qëndrueshmërie politike dhe një marrëveshjeje politike. Dhe ajo që po ndodh është saktësisht e kundërta e kësaj. Nga ne do të ketë një porosi e qartë, që të lëvizet drejt një situate kur qeveria dhe opozita do të kuptojnë rëndësinë e momentit në të cilin jetojnë, të rëndësisë vendimtare të çështjeve që vendosen në tryezë që lidhen me përparimin e Shqipërisë drejt BE-së. Prandaj ta rimendojnë sërish dhe të garantojnë që aktorët politikë të mbajnë qëndrime konstruktive.
Por a do të ketë një ndikim kjo krizë aktuale politike në Shqipëri në rrugën e saj drejt integrimit evropian?
Ajo që është e qartë është se nuk mund të ketë një ndikim pozitiv. Sepse nuk është e mundur të ecet përpara me një situatë aktuale dhe jo të qëndrueshme.
Çfarë mund të bëjë BE-ja që të ndihmojë këtë vend për të tejkaluar dallimet?
Mendoj se kjo është një çështje që duhet t’u adresohet pikë së pari udhëheqësve në Shqipëri. Sepse ata e dinë vullnetin e BE-së për të ecur përpara me Shqipërinë, por ne nuk mund të bëjmë asgjë derisa nuk ka një situatë të qartë dhe të qëndrueshme.
Zonja Gallak, deri ku kanë arritur përgatitjet për takimin e Sarajevës, që pritet të mbahet në qershor?
Atë që ne po bëjmë tani është puna me të gjitha vendet në rajon, me qëllim që konferenca të vazhdojë përgatitjet. Siç e ka thënë edhe ministri Moratinos të hënën, ai është shumë i sigurt se do të jetë një takim shumë i mirë dhe që do të rezultojë me porosi pozitive për vendet e rajonit në marrëdhëniet me BE-në.
Me sa e kuptoj, ka një pajtueshmëri edhe të Prishtinës, por edhe Beogradit për të marrë pjesë në takimin e Sarajevës?
Ne gjithnjë e kemi thënë se pjesëmarrja e të gjitha vendeve të rajonit dhe e përfaqësuesve do të mund të ishte shumë e rëndësishme dhe e domosdoshme. Një punë e madhe është bërë që të gjithë të jenë në tavolinë në Sarajevë më 2 qershor.
Po cila është formula e këtij takimi? Zyrtar, apo jozyrtar?
Ajo që ka rëndësi është që takimi të rezultojë me një porosi të qartë për të gjitha vendet e rajonit, për qytetarët e rajonit, për rëndësinë e vazhdimit të zhvillimit të të gjitha përpjekjeve për t’u përafruar me BE-në. Në të njëjtën kohë për udhëheqësit dhe institucionet e BE-së që të përcaktojnë proceset që po zhvillohen. Ndoshta, për ta cilësuar takimin si të tillë ka më pak rëndësi se sa substanca. Në çfarëdo rasti takimi me të gjitha vendet e rajonit, si një prej rajoneve kyçe të BE-së, është gjithnjë e rëndësishme dhe ne presim që konferenca në Sarajevë do të vlerësohet nga rezultati i saj. Përgatitjet po vazhdojnë dhe kemi ende kohë deri në fillimin e saj. Prandaj kjo është mënyra se si janë bërë gjërat.
Pra ju e përjashtoni mundësinë që njëra palë të mos jetë atje?
Atë që gjithnjë e kemi thënë është se të gjithë partnerët në rajonin e Ballkanit janë të ndërlidhur me BE-në. Të gjithë ata kanë marrëdhënie në nivele të ndryshme, që është në përputhje me një numër situatash. Ka vende që tashmë po negociojnë që të bëhen anëtare të BE-së, të tjerat që ende nuk i kanë filluar negociatat, si dhe disa të tjera që po përgatiten për këtë gjë. Pra të gjitha ato janë në rrugë e sipër, prandaj është edhe mirë që të ulen së bashku në të njëjtën kohë. Ne e kemi bërë këtë në raste të tjera, prandaj mendojmë se është një moment i mirë.
Çfarë mendoni se do të arrini në këtë takim, duke marrë parasysh se Spanja e përfundon mandatin e saj të kryesimit me BE-në nga fundi i qershorit?
Saktësisht. Presidenca e radhës e BE-së përfundon çdo gjashtë muaj. Por ju e dini se marrëdhëniet me vendet e rajonit nuk varen nga një vend i posaçëm. Ato janë politikat më solide të BE-së si tërësi. Njëra presidencë jep një impuls të caktuar, tjetra jep një tjetër lloj impulsi. Por, vendosja e rajonit të Ballkanit si një prej përparësive kyçe, nëse jo një prej fqinjëve më të rëndësishëm për BE-në, për shkak të perspektivës europiane, nuk ndryshon nga njëra te tjetra presidencë. Gjatë këtyre gjashtë muajve, Spanja ka punuar së bashku me ekipin e zonjës Ashton, ka pasur një numër aktivitetesh dhe është një kohë e mirë për të ecur përpara, ashtu siç do të bëjnë presidencat e tjera më vonë.
Marrë nga BBC-ja
12 Maj 2010